4 peskatarë në Vlorë kanë rrezikuar të humbin jetën mëngjesin e sotëm pasi peshkarexha e tyre është mbytur.
Burime zyrtare nga Policia e Vlorës bënë me dije se, në orën 02:08, janë njoftuar për ndihmë pasi mjeti lundrues peshkimi “Vasili LN” po rrezikon të mbytet në det pranë ishullit të Sazanit.
Burimert thanë se menjëherë u njoftuan shërbimet përkatëse të cilët dolën me mjete lundruese të Rojës Bregdetare dhe të Delta Force, nën orientimin e QNOD Durrës me qëllim për t’ju ardhur në ndihmë këtyre shtetasve, por pas kontrolleve dhe kërkimeve të tyre në zonën detare përreth nuk u bë e mundur gjetja e tyre.
Sot në mëngjes rreth orës 06:04, Kapitaneria e Portit Vlorë ka njoftuar se, trageti i linjës Brindizi-Vlorë, në distancë rreth 6 milje nga Sazani ka gjetur në det 4 shtetas dhe i kanë marrë në tragetin e tyre (K.K, 65 vjeç, M.N, 54 vjeç, E.N, 20 vjeç, M.J, 19 vjeç).





