Pas më shumë se dy orësh tubim para Kryeministrisë, ku qytetarë, aktivistë dhe shqiptarë të ardhur nga diaspora mbajtën fjalimet e tyre, protestuesit nisën marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të ditës së 35-të të protestave.

Me thirrjet “Shqipëri e Re” dhe “Edi Rama, jep dorëheqjen”, mijëra pjesëmarrës marshuan në bulevardin kryesor të kryeqytetit, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Sipas organizatorëve, protesta e kësaj të shtune shënoi një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve nga i gjithë vendi, si edhe të shqiptarëve të ardhur nga diaspora, të cilët iu bashkuan manifestimit në mbështetje të kërkesës për dorëheqjen e kryeministrit.

Bulevardi para Kryeministrisë u mbush me mijëra protestues, ndërsa në mbrëmje sheshi u ndriçua nga dritat e telefonave celularë të pjesëmarrësve, përpara se turma të niste marshimin në rrugët e Tiranës.