Referimi i rasteve tek ndërmjetësuesit pritet të “çlirojë” ngërçin e krijuar në sistemin gjyqësor prej rishpërndarjes së gjykatave në vend.

Ky është konkluzioni i takimit më të fundit të mbajtur mes përfaqësuesve të Dhomës së Ndërmjetësve Durrës, Gjykatës së Durrësit dhe ministrisë së Drejtësisë.

Në kushtet tani që të gjithë gjykatat e Apelit kanë shkuar në Tiranë, do të thotë që për 30 vite çështjet e apelit nuk do të zgjidhen. Prandaj qytetarët mund t’i drejtohen për çështjet e divorcit, për pronat, për çështjet civile e penale, një ndërmjetësi për ta zgjidhur atë shumë shpejt“, thotë për “DurrësLajm” Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.

Por çfarë do të thotë të zgjidhësh një çështje përmes ndërmjetësimit?

Është një drejtësi e re, është një drejtësi restauruese, ku të dyja palët komunikojnë dhe fitojnë, e cila në fund përfundon me një akt-marrëveshje ndërmjetësimi, që është titull ekzekutiv. Kjo do të thotë se është është e barasvlefshme me një vendim arbitrazhi, ose një vendim të formës së prerë.

Pra, këtu zgjidhjet janë shumë të shpejta dhe meqënëse proceset gjyqësore zgjasin deri në 10 vite qytetarët e bëjnë vetë krahasimin, 10 vite me 30 ditë“, sqaron Avdyli.

Megjithë benefitet, aplikimi i kësaj zgjidhjeje alternative ka qenë prej kohësh një sfidë më të cilën është përballur ministria e Drejtësisë.

“Për ministrinë e Drejtësisë zgjidhja alternative e konflikteve është një sfidë faktikisht, sepse siç e kemi parë ka kohë që punojmë, por akoma rezultatet nuk po duken gjëkundi“, pohon Tetis Lubonja, drejtoreshë e Projekteve në ministrinë e Drejtësisë.

Hapat e para në këtë drejtim janë hedhur nga gjykata e Durrësit.

“Gjyqtarët e kanë detyrim ligjor të referojnë çështje me ndërmjetësim, por nisur nga ngarkesa e madhe që është përballuar vitet e fundit kjo ka qenë lënë mënjanë, pra nuk i është kushtuar rëndësia e duhur.

Nga 1 qershori i këtij viti ne jemi në zbatim të këtij projekti dhe nga ana e gjyqtarëve kanë filluar dhe rastet e para të referimit të çështjeve me ndërmjetësim“, deklaron Paulin Çera, kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Situatat që shkojnë në gjyq janë nga ato të rëndat e deri te më të thjeshtat për zgjidhje.

Në disa raste ndërmjetës mund të ketë qenë fati e në disa raste rastësia, por pritja në të shumtën e rasteve ka qenë e pashmangshme.

Prandaj, me rikonfigurimin e ri dhe shkrirjen e 18 gjykatave në mbarë vendin, synohet që qytetarët të fillojnë ta përqafojnë këtë drejtësi të re.

K.Gj.

Lexim i sugjeruar: