Hapet në Durrës Dhoma Vendore e Ndërmjetësve.

Në fjalën e rastit mbajtur para të pranishmëve zv/ministri i Drejtësisë Klajd Karameta deklaroi se hapja e kësaj zyre në qytetin bregdetar do të lehtësojë punën e gjykatave, pasi ul ndjeshëm numrin e gjyqeve.

Ndërmjetësimi është një proces jashtëgjyqësor ku një palë e tretë neutrale ndihmon palët  në konflikt në gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për mosmarrëveshjet e tyre, brenda kuadrit ligjor.

Për Drita Avdylin, kryetaren e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve krijimi i Dhomës Vendore në Durrës është një proces mjaft i rëndësishëm.

Në qytetin bregdetar janë të licensuar 6 ndërmjetës për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në fushën Civile, Tregtare, etj.

Ndërmjetësit e Dhomës Vendore Durrës janë:

  1. Aida Zaka,
  2. Merita Dakavelli
  3. Klaudia Burgia
  4. Emil Premci
  5. Brikena Shkembi
  6. Enkelejd Abdyli

INFO:

Për cilat çështje mund të zbatohet/aplikohet ndërmjetësimi?

  • në mosmarrëveshjet në fushën e së drejtës civile, tregtare, të punës, familjare, pronësisë intelektuale, të drejtave të konsumatorëve;
  • në mosmarrëveshjet midis organeve të administratës publike dhe subjekteve private;
  • mosmarrëveshjeve në fushën penale që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e viktimës akuzuese/ankim të të dëmtuarit ose në çështjet penale me të mitur.

Si mund të kërkoni zhvillimin e procesit të ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tuaja?

Ju mund të aplikoni ndërmjetësimin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tuaja vullnetarisht në dakordësi dhe me palët e tjera në proces.

Gjykata dhe Prokuroria kanë detyrimin ligjor të njoftojnë palët në proces, në fazën e seancës paraprake për mundësinë e zgjidhjes së mosmarrëveshjes me anë të ndërmjetësimit për rastet e parashikuara nga ligji.

Ju mund të zgjidhni deri në dy ndërmjetës për trajtimin e çështjes tuaj, në dakordësi dhe me palët e tjera të cilat janë pjesë e procesit.

Në rast se gjatë zhvillimit të procesit të ndërmjetësimit, ju mbeteni të pakënaqur nga shërbimi i ofruar, ju mund të drejtoni ankesë brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për shkeljen dhe jo më vonë se dy vjet nga kryerja e shkeljes në lidhje me ndërmjetësit, duke iu drejtuar Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve. Organi kompetent për shqyrtimin e këtyre ankesave është Bordi Disiplinor pranë Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.

Cilat janë avantazhet e zgjidhjes së ndërmjetësimit si alternativë jashtëgjyqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve?

  • redukton konfliktet mes palëve duke i ofruar një zgjidhje të shpejtë dhe efektive;
  • përfshin palët në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis tyre, duke mos iu imponuar atyre asnjë vendimarrje në lidhje me procesin;
  • ka kosto të ulët;
  • shmang procedurat e tejzgjatura gjyqësore;
  • shmang bllokimin e çështjes në instanca më të larta;
  • në rastet kur palët nuk mund të arrijnë një marrëveshje në procesin e ndërmjetësimit, ato mund t’i drejtohen gjykatës;
  • individët që përfitojnë nga ndihma juridike parësore, mund të përfitojnë falas këshillim dhe informim mbi ndërmjetësimin;
  • mundëson zhvillimin e procesi të ndërmjetësimit online, nëpërmjet platformave të posaçme duke shmangur takimet fizike në kuadër të masave mbrojtëse kundër pandemisë COVID-19;
  • informacioni për palët dhe çështjen për të cilën ofrohet ndërmjetësim është konfidencial, dhe ndërmjetësi është i detyruar të ruajë konfidencialitetin në lidhje me procesin;
  • vendimi përfundimtar në procesin e ndërmjetësimit përbën titull ekzekutiv.