Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor e zhvilluar në Durrës u vlerësua me çmimin e dytë në TEA Awards si aktiviteti më i mirë i artit pamor dhe më i kërkuari në aplikacionin TEA në harkun kohor maj 2024 – maj 2026. Ky çmim u akordua nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, si dhe nga Agjencia Kombëtare e Turizmit.

Për ideuesin dhe kuratorin e saj, Oltsen Gripshi, ky çmim ishte një vlerësim mëse i mirëpritur dhe një motivim më shumë në një kohë kur ai ka nisur përgatitjet për mbajtjen e edicionit të dytë, në tetor të këtij viti.

“Të vlerësohesh me çmim të dytë, që në edicionin e parë të bienales, ndërkohë që aty kishte aktivitete artistiko-kulturore që vijonin prej shumë vitesh është mjaft e rëndësishme”,– tha ndër të tjera Gripshi, në një intervistë për “DurrësLajm”.  

Pak ditë më parë, Agjencia Kombëtare e Turizmit – MTKS, solli TEA Awards 2026, një event dedikuar vlerësimit të promotorëve të Shqipërisë turistike nga matjet e Aplikacionit TEA (Tourism Events of Albania) sipas eksperiencës vendase e të huaj mbi interesin për eventet dhe destinacionet turistike.  

“Jemi besimplotë, që punët e mira, përkushtimi, mundi vjen një moment dhe vlerësohen dhe ja ku erdhi ky moment në këtë edicion të parë të çmimeve TEA”,- thotë Gripshi.

Çmimet TEA Awards 2026 evokuan kalendarin e aktiviteteve, mikpritjes social-kulturore dhe ngjarjeve që nxisin vizitueshmëri dhe ndjekje nga komunitetet dhe turistët, duke rritur audiencën e markës shqiptare, nga jugu në veri.

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Durrës do të vijë në edicionin e tij të dytë në muajin tetor dhe do të jetë më i shkurtër në kohë se edicioni i parë. Eshtë hapur tashmë thirrja për një kurator ndërkombëtar, me kritere të mirëpërcaktuara, ndërsa nga fundi i qershorit pritet të hapet thirrja për artistët pjesëmarrës.

M.B.