Qytetarët e dalë sot në protestë kundër miratimit të ligjit që i hap rrugë importimit të mbetjeve urbane, kanë protestuar sot para Piramidës.

Pasi kanë qëndruar aty disa orë, protestuesit i janë drejtuar selisë së Partisë Socialiste ku po mbahet mbledhja e Kryesisë së kësaj partie.

Ndërsa brenda godinës Rama u fliste anëtarëve të Kryesisë, jashtë jehonte zëri i tij në një fjalim të vitit 2013 kundër importimit të plehrave.

Kurse nga ana tjetër u rikujtua dhe një deklaratë e deputetit të PS-së, Eduard Shalsi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 kur tha se do të grabisnin kur të vinin në pushtet, por më mirë se qeveria e kaluar.

Gjithashtu, protestuesit i kujtuan PS-së se ashtu si PD, e cila ka zaptuar një godinë publike, gjithashtu selia e saj ndodhet në pronë shtetërore.

Qytetarët paralajmëruan se do të dalin sërish në protestë ditën e enje, para Kuvendit, ditën kur parashikohet që ligji të kalojë për miratim.