Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Toni Angellovski ka mbajtur konferencë për shtyp dhe ka treguar se numri i incidenteve që janë shënuar në polici gjatë votimit për referendumin e sotëm, deri në ora 11 është katër.

“Nga hapja e vendvotimeve deri më tani janë regjistruar 4 incidente. Në shkollën “Llazo Angellovski” në lagjen Lisiçe në Shkup, K.Zh. (22 vjeçar), nga Shkupi e ka prishur rendin dhe qetësinë publike duke ofenduar qytetarët dhe më pas ka sulmuar dhe zyrtarët policor. Ai është arrestuar menjëherë dhe gjendet në stacionin policor në Aerodrom”.

Incidenti i dytë është paraqitur nga një mashkull 80 vjeçar nga Zubovca në Gostivar, i cili ka thënë se është ofenduar në lidhje me referendumin nga 64-vjeçarja S.M. Ajo është thirrur në stacion policor dhe incidenti është duke u zbardhur.
Më tej, policia ka hasur një rast në Strugë, në afërsi të vendvotimit në shkollën “Braqa Milladinovci”, ku persona kanë fotografuar votuesit nga ballkoni i ndërtesës së tij. Policia i ka marrë në stacion këto persona dhe në koordinim me Prokurorinë Publike punohet në zbardhje të rastit.

Incidenti i fundit, sipas Angellovskit, ka ndodhur në shkollën fillore “Vanço Prkev” në Shtip.

“P.O nga Shtipi ka lajmëruar se kur ka sjellë ushqim për anëtarët e Komisionit Zgjedhor Komunal, është fotografuar dhe ofenduar nga personi E.S. Ky i fundit është dërguar në stacion policor” tha zëdhënësi. Ai bëri apel te qytetarët ta respektojnë të drejtën e privatësisë gjatë votimit dhe të respektojnë ligjet, përndryshe MPB do t’i sanksionojë ato.

Deri në orën 11:00 në 3.480 vendvotime në territorin e Republikës së Maqedonisë votimi po vijon qetë dhe pa parregullsi. Nga 92,06 për qind të të dhënave të përpunuara prej vendvotimeve deri në orën 11:00 në votim kanë dalë gjithsej 8,03 për qind e votuesve të regjistruar në këto vendvotime.

Në KSHZ deri në këtë moment, siç informoi në konferencë shtypi zëdhënësja e KSHZ-së, Lupka Guguçevska janë dorëzuar shtatë ankesa për mbrojtjen e të drejtës personale për votim, njofton Klan Maqedoni. Tre prej tyre janë refuzuar, ndërsa katër janë në përpunim e sipër.

Në linjën falas të telefonit 0800 555 44 përmes së cilës qytetarët duhet të paraqesin parregullsi apo të parashtrojnë pyetje në KSHZ, qytetarët e shfrytëzojnë këtë linjë telefonike, ndërsa kryesisht, theksoi Guguçevska, pyetjet janë lidhur me të drejtën e tyre personale për votim. Nga KSHZ apelojnë se në raste të tilla qytetarët t’i lënë të dhënat e tyre për kontakt që të munden shërbimet e KSHZ-së t’u përgjigjen pyetjeve të parashtruara. Dalje më të lartë, informojnë nga KSHZ, ka në komunën Qendër 13,31 për qind, në Kriva Pallankë 13,8 dhe komunën e Karposhit 12,51, ndërsa më të ulët në komunën e Mogillës 3,16 dhe në Plasnicë 3,30. Në pyetjen e gazetarëve se pse ka ndryshim lidhur me dorëzimin e materialit zgjedhor pas përfundimit të votimit, zëdhënësja e KSHZ-së, Guguçevska potencoi se dorëzimi i materialit zgjedhor pas përfundimit të votimit prej këshillave zgjedhorë në KSHZ parimisht në të gjitha proceset e kaluara është kryer në të njëjtën mënyrë.