Në gjykimin e Ramadan Mujës dhe ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, u lexuan dëshmitë e dëshmitarëve të dhëna gjatë shqyrtimit të kaluar gjyqësor.

Gjatë kësaj seance u arrit që të lexoheshin dëshmitë e dëshmitarëve Naim Kukaj, Myrvete Qollaku, Basri Begaj, Ekrem Muçaj, Agron Hoxhaj, Besim Morina e Ridvan Hoxha.

Propozimin që këto dëshmi të këtyre dëshmitarëve të mos konsideroheshin si të lexuara por të lexoheshin përsëri e dha prokurorja speciale Fikrije Fejzullahu.

Megjithëse mbrojtësit e të akuzuarve propozuan që këto dëshmi të konsiderohen si të lexuara, trupi gjykues vendosi që të aprovohej propozimi i prokurores për t’i lexuar një nga një dëshmitë e të gjithë dëshmitareve të cilët kanë dëshmuar në shqyrtimin e kaluar gjyqësor e që janë gjithsej 26.

Ndonëse prokurorja u deklarua për dëgjimin e këtyre deklaratave, si duket asaj pas pak kohe i humbi interesimi për të dëgjuar se çfarë kishin thënë ata.

Gjatë seancës, prokurorja Fejzullahu nuk mundi t’i rezistonte gjumit.

Ajo dremiste herë pas here deri kur ndihmësi i saj i bëzante.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 19 mars.