Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur pasi një tërmet i fuqishëm goditi brigjet turke dhe greke pas mesnate, duke shkaktuar një cunami në resortet turistike në detin Mesdhe dhe Egje.

Nuk dihet ende se sa ishte lartësia e dallgëve të cunamit që shkaktoi tërmeti i fuqishëm në Mesdhe, por uji ka dalë në breg duke përmbytur disa lagje resortesh, fundosur varka dhe zhvendosur dhjetëra makina.

Tërmeti me magnitudë 6,7 ballë të shkallës Rihter u shënua në orën 01,31 dhe epiqendra është lokalizuar në zonën detare midis ishullit Kos dhe qytetit turistik turk, Bodrum.

Dëme të shumta materiale janë evidentuar sidomos në qendër të ishullit, ku janë shkatërruar kryesisht objekte fetare. Dëmtime të mëdha ka pësuar gjithashtu edhe porti i ishullit, ku trageti i linjës nga Pireu nuk mundi të ankorohej.

Banorët dhe turistët që gjenden në ishull e kaluan natën përjashta, nga frika e lëkundjeve metasizmike që pasuan.

Sizmologët kanë paralajmëruar se këto lëkundje do të vazhdojnë me javë, prandaj këshillojnë që njerëzit të bëjnë shumë kujdes e të mos qëndrojnë në banesa të vjetra.