KLINE – L.M., 1985 nga fshati Rigjevë i komunës së Klinës, ka vdekur ndërsa ishte duke pastruar tualetin me detergjentet përkatëse për pastrim. Zëdhënësi i PK-së, Xhevat Ibraj njoftoi se të mërkurën paradite Stacioni Policor në Klinë është njoftuar se në QKMF-në e Klinës ishte paraqitur një rast vdekje, për të cilin dyshohej se kishte përdorur detergjente për pastrimin e tualeteve. Sipas familjarëve, viktima gjatë pastrimit të banjës e kishte mbyllur derën e banjës dhe dritaren. Familjarët kishin hyrë me forcë në banjë, ndërsa viktimën e kishin gjetur të shtrirë përdhe por në gjendje shumë të rëndë. Ajo është dërguar në QKMF dhe pas kontrollit të mjekëve në emergjencë, nga mjeku është konstatuar se viktima është pa shenja jete.

Zëdhënësi Ibraj tha se njësitet përkatëse të hetimeve në nivel lokal dhe rajonal kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe lidhur me këtë rast është njoftuar edhe prokurori i çështjes, i cili ka bërë inspektimin e vendit. 

Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Oficerët hetues kanë ndërmarrë edhe veprime të tjera operative–hetimore, duke intervistuar disa persona dhe familjarë të viktimës.