Është shoqëruar me debate të ashpra mes kryeministrit të Kosovës Avullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, Forumi i Sigurisë i Beogradit që u zhvillua “online”. Hoti kërkoi njohje reciproke, ndërsa Vuçiç i irrituar i kërkoi shefit të qeverisë së Prishtinës që të mos flasë kurrë më për dy shtete, pasi sipas tij ekziston vetëm një.

Gjatë fjalës së tij në forumin me temë “S’ka paqe pa besim”, kryeministri Hoti vlerësoi kontributin e Shteteve të Bashkuara në procesin e dialogut, por nënvizoi se mekanizmi kryesor për normalizimin e marrëdhënieve është Bashkimi Europian.

“Ky është vetëm fillimi i një procesi historik të arritjes së marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që nënkupton edhe njohjen reciproke midis dy vendeve.”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Qëndrimi i tij duket se irritoi presidentin serb, Vuçiç, i cili pohoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën si shtet të pavarur.

“Hoti theksoi disa herë: dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete, në këtë takim por edhe në takime të tjera. I them të mos e përdorë këtë mijëra herë. Nëse do afrim mes nesh mos e thuaj. Ne e dimë çfarë mendon. Dy shtete-dy shtete, dy shtete-dy shtete. Nuk ka dy shtete, ka një shtet që është anëtar i OKB-së në përputhje me Rezolutën 1244.”, deklaroi Vuçiç.

Në panel ishte pjesëmarrës edhe i emëruari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Miroslav Lajçak. Duke parë situatën e tensionuar, ai nënvizoi se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit është e mundshme, por paralajmëroi se do të jetë një kompromis i dhimbshëm.

Pjesë e forumit ishte dhe Ryan Tully nga Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.