Qeveria e re e Serbisë do të ketë një mandat të kufizuar, jo më gjatë se deri më 3 prill të vitit 2022, kur do të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare, së bashku me zgjedhjet e rregullta presidenciale, njoftoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, njëherësh kryetar i Partisë Përparimtare Serbe, e cila i ka fituar bindshëm zgjedhjet e mbajtura më 21 qershor.

Përveç partisë së tij, në qeverinë e re do të përfshihet edhe ish-partneri i tij, Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiç dhe Lidhja Patriotike Serbe e Aleksandër Shapiç, e cila deri tani ka qenë në opozitë.

Daçiç, aktualisht ministër i Punëve të Jashtme, do të jetë kryetar i Kuvendit të Serbisë, njoftoi të martën Vuçiç.

Ai nuk i bëri publikë emrat e ministrave të ardhshëm, duke thënë se do ta bëjë këtë pas bisedimeve shtesë brenda partisë.

Lista përfundimtare e ministrave do të bëhet publike më 25 tetor, tha Vuçiç.

Ai tha se do të ketë disa ministri të reja, përfshirë Ministrinë e të Drejtave të Njeriut dhe Dialogut.

Detyra kryesore e qeverisë së re, siç tha Vuçiç, do të jetë ruajtja e shëndetit të qytetarëve dhe një sistem i fortë shëndetësor. Detyra e dytë, shtoi ai, janë interesat e Serbisë në Kosovë.