Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se 20 institucione arsimore në Tiranë janë pajisur me kamera inteligjente, në kuadër të një projekti që synon rritjen e sigurisë në shkolla.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama tha se teknologjia e re është pjesë e një angazhimi të marrë pas një ngjarjeje tragjike të ndodhur në një shkollë të kryeqytetit, ku një nxënës humbi jetën pas një konflikti me bashkëmoshatarët.

Sipas kryeministrit, sistemet e vjetra të monitorimit nuk ishin në gjendje të identifikonin dhe sinjalizonin në kohë situata të tilla. Kamerat e reja, ndërkohë, do të kenë mundësi të evidentojnë ngjarje të dyshimta dhe të dërgojnë sinjalizime në kohë reale te drejtuesit e shkollave, punonjësit e sigurisë dhe Policia e Shtetit.

Rama theksoi se 20 shkollat e Tiranës përbëjnë vetëm fazën e parë të projektit dhe se synimi është që sistemi të instalohet gradualisht në të gjitha shkollat e vendit.

“Ky është vetëm fillimi”, tha kryeministri, duke nënvizuar se teknologjia synon të ndihmojë në reagimin më të shpejtë ndaj situatave që mund të rrezikojnë nxënësit dhe stafin arsimor.

Sipas tij, kamerat e reja janë vendosur në të njëjtat pika ku ndodheshin sistemet e mëparshme, por me funksionalitete më të avancuara, duke mundësuar jo vetëm pamje, por edhe sinjalizim të menjëhershëm. Kryeministri deklaroi se procesi do të vijojë “shkollë pas shkolle”, me synimin që siguria e nxënësve të mbështetet gjithnjë e më shumë nga teknologjia moderne.