Paraditen e sotme, shkarkimi i Drejtorit Ekzekutiv të portit të Durrësit, Afrim Bakaj, shkaktoi jo pak habi mes socialistëve durrsakë. I njohur nga të gjithë si një njeri pranë kryebashkiakut Vangjush Dako, Bakaj nuk kishte mbushur ende një vit në postin e drejtorit të portit më të madh në vend. Bakaj u shkarkua së bashku me kreun e ARRSH-së, Afrim Qendro, po ndryshe nga Qendro që u gjend në qendër të ciklonit, kur plasi skandali i tenderit me dokumenta false të DH Albania për ndërtimin e një prej loteve të Unazës së re, Bakaj nuk është akuzuar (të paktën publikisht) për ndonjë abuzim apo shpërdorim me detyrën.
Por jo vetëm shkarkimi i Bakajt, por edhe emërimi i Agron Tares në vend të tij ishte një tjetër surprizë e pakëndshme për socialistët e Durrësit. Me emërimin e vëllait të mikut të tij Igli Tare, Rama duket sikur ka nxjerrë tërësisht jashtë loje beniamimin e tij në Durrës, Vangjush Dakon. Shkarkimi vetëm 4 muaj pasi kishte marrë detyrën i Artjan Qiricit, i cili hyri ndoshta në histori si drejtori më jetëshkurtër i portit më të madh në vend, dhe emërimi i Afrim Bakajt u pa si qokë që ju bë një prej njerëzve më pranë Dakos edhe për kontributin e dhënë gjatë fushatave zgjedhore. Pavarësisht se Qirici për nga CV-ja e tij dhe eksperiencat e mëparshme ishte një prej njerëzve më të përshtatshëm në postin e drejtorit të portit më të madh në vend, në vend të tij u emërua një njeri partiak, që kontributin më të vyer kishte mbledhjen e votave në fushatë.
Ndërkohë, që shumë pak dihet për drejtorin e ri ekzekutiv, ajo që flitet qartë mes socialistëve të Durrësit është fakti se kryeministri Rama nuk u konsultua aspak për zgjedhjen e tij me Dakon, por ia solli peshqesh vëllanë e Igli Tares, që pak muaj më parë e çoi Ramën me avion privat në Torino për të realizuar foton me të famshmin Cristiano Ronaldo.
Kjo lëvizje e bërë vetëm pak muaj para fushatës për zgjedhjet vendore, e në një kohë që Rama nuk ka shprehur ende dakordësinë për kandidimin e Dakos për një mandat të katërt duket si një goditje poshtë brezit për kryebashkiakun e Durrësit nga ana e kryeministrit. Në një kohë kur durrsakët nuk para i pëlqejnë drejtorët apo deputetët e sjellë me porosi të partisë, Rama shpërfill të gjithë elektoratin socialist në qytetin bregdetar si dhe burimet njerëzore që mund të ishin të përshtatshme për t’u emëruar në këtë post.
Nga ana tjetër, Dako vazhdon të ketë ende një hall të madh, pasi edhe ditët e fundit, nga foltorja e parlamentit apo nga selia e Partisë Demokratike, emri i tij ka vijuar të lakohet nga eksponentë të lartë të selisë blu. Madje, një ditë më parë, Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit deklaroi se Xhafaj e kishte arrestuar Dakon, por ky i fundit ishte liruar pas telefonatës kërcënuese që i kishte bërë kryeministrit duke i thënë se nëse shkonte pas hekurave ai do të hapte librin dhe defterin e të dhënave, e telefonave dhe përgjimeve të Edi Ramës në Shijak. Sesa të vërteta ka kjo deklaratë e Kryemadhit, kjo mbetet për t’u parë, nëse Dako do ta padisë për shpifje, ashtu siç veproi disa muaj më parë me deputetët demokratë. Nisur nga eksperiencat e mëparshme kur Rama ka 'lëshuar' njerëz shumë pranë tij për të evituar lumin e akuzave të drejtuara sidomos ndaj tij, nuk do të ishte ndonjë gje e papritur edhe largimi i Dakos.
Gjithsesi, moskonsultimi apo mos marrja fare parasysh e mendimit të Dakos për shkarkimin e Bakajt nga Rama, duket se i ka dhënë një goditje kredibilitetit të kryebashkiakut mes socialistëve të Durrësit. A do të jetë kjo krisja e parë në marrëdhënien e ngushtë mes kryeministrit shtatlartë dhe kryebashkiakut shtatshkurtër apo Rama vendosi t’i bëjë një qokë Tares sepse Gjushi nuk thotë gjë, ditët në vazhdim do ta tregojnë…
M.B.