Qytetarët shqiptarë do të zbresin sërish sot në shesh e rrugë për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në ditën e 20 të protestës, qytetarët kanë vetëm një synim: largimin e kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Protesta nis në orën 19:00, për shkak të temperaturave të larta, por pavarësisht këtij fakti pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e jashtëzakonshme.
Për 19 ditë me radhë, qytetarët kanë protestuar në Tiranë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre dhe duke kërkuar ndryshime politike.
Ashtu si në tubimet e mëparshme, edhe këtë mbrëmje pritet që pas qëndrimit për disa orë para Kryeministrisë, protestuesit të zhvillojnë një marshim nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përcjellë mesazhet dhe kërkesat e tyre.
Protestuesit theksojnë se do të vijojnë mobilizimin deri në realizimin e kërkesës së tyre kryesore: dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë.





