Edi Rama nuk ka qenë asnjëherë më i qartë se këtë të diel, 10 javë para zgjedhjeve, për dëshirën e Partisë Socialiste për të fituar së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim një mandat të dytë qeverisës, duke e ftuar publikisht Ilir Metën të vendosë për koalicionin.
“Ne as e kemi diskutuar e as e diskutojmë koalicionin ku jemi, si opsionin tonë më të pëlqyer. Duke qenë se pala jonë është e qartë, i takon palës tjetër të vendosë në ditët në vijim pozicionin e saj për 4 vitet e ardhshme”, u shpreh Rama në Asamblenë e PS-së.
Kryeministri e përdori fjalimin përpara Asamblesë Parlamentare, edhe për të përforcuar qëndrimin lidhur me datën e shtyrjes së zgjedhjeve. Ai tha shkurt e prerë se data e zgjedhjeve nuk ndryshon.
“Për ta, nga ne, ka vetëm një ftesë: dilni nga çadra që të ballafaqohemi me popullin. Megjithatë, çadra është zgjedhja e tyre, më 18 qershor janë zgjedhjet e popullit. Data e zgjedhjeve nuk shtyhet”, u shpreh Rama.
Në podiumin e Asamblesë, Rama nuk la pa lëshuar edhe një mesazh për ata që kërkojnë të mbështesin PD-në.
“Asnjë merak për qeverinë teknike. Është guri i hedhur në lumin që ka marrë Partinë Demokratike. Kush shkon për ta nxjerrë atë gur, të bëjë kujdes sepse mund të mbytet në atë lumë”.
A është ky një mesazh për Ilir Metën, nga partia e të cilit kanë ardhur mesazhe të qarta se s’mund të ketë zgjedhje pa PD-në?





