Partia Demokratike, përmes zëdhënëses për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, ka akuzuar qeverinë për shpenzime të larta për automjete luksi, ndërsa kërkoi hetim nga SPAK për mënyrën se si përdoren paratë publike.
Në një deklaratë për mediat, Vangjeli tha se kryeministri Edi Rama u shfaq së fundmi në takimin dy ditor me të vetët në qytetin e Pogradecit me një automjet tip Mercedes-Benz S, me vlerë mbi 100 mijë euro.
Sipas saj, të dhënat e “Open Procurement” tregojnë se administrata ka shpenzuar miliona euro për blerje, qira dhe leasing automjetesh.
Vangjeli veçoi edhe një procedurë të fundit për blerjen e tre automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, me vlerë rreth 200 mijë euro, duke pretenduar se furnizuesi është Mektrin Motors, biznes i familjes së kryetares së Bashkisë Durrës, Emirjana Sako.
“Më tepër se 10 milionë euro kanë shkuar për këto blerje në duart e kunatit të KB socialiste të Durrësit, Emirjana Sakos. Procedura e fundit, publikuar disa ditë më parë në regjistrin e prokurimeve, me objekt blerje e 3 automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, drejtuar nga Delina Ibrahimaj, i kushton qytetarëve 200.000 euro (konvertuar me kursin e këmbimit sot). 3 automjetet e MEI do të furnizohen nga i njëjti operator, Mektrin Motors, biznesi i familjes së Emirjana Sakos.”, tha Vangjeli.
PD kërkon që SPAK të hetojë përdorimin e parave publike.
“Partia Demokratike ripërsërit thirrjen e saj. SPAK të hetojë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.”, shtoi ajo.
DEKLARATA E PLOTË:
Teksa propagandon kursime e mirëmenaxhim dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve publike, kryeministri Rama shfaqet me automjete luksi, blerë sigurisht me paratë e shqiptarëve të varfër.
Vetë Kryeministri Rama u shfaq pak ditë më parë në Pogradec, pas mbledhjes së qeverisë, duke u larguar me një Mercedes-Benz S, një automjet luksoz i cili kushton mbi 100.000 euro.
E normalisht të njëjtin shembull ndjekin edhe vartësit e tij.
Sipas Open Procurement, administrata e Edi Ramës ka shpenzuar miliona euro për automjete të blera, me qira apo leasing.
Më tepër se 10 milionë euro kanë shkuar për këto blerje në duart e kunatit të KB socialiste të Durrësit, Emirjana Sakos.
Procedura e fundit, publikuar disa ditë më parë në regjistrin e prokurimeve, me objekt blerje e 3 automjeteve për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, drejtuar nga Delina Ibrahimaj, i kushton qytetarëve 200.000 euro (konvertuar me kursin e këmbimit sot).
3 automjetet e MEI do të furnizohen nga i njëjti operator, Mektrin Motors, biznesi i familjes së Emirjana Sakos.
Në përpjekjen e dështuar të Edi Ramës dhe sojit të tij për të bindur shqiptarët se qeveria punon dhe përpiqet për të mirët e tyre.
Përfundimi është i qartë:
Propagandë me fjalë, miliona për luks në praktikë.
Paratë publike përdoren për të financuar një administratë që nuk njeh kufij në shpenzime.
Kontratat publike vijojnë të përqendrohen tek një rreth i ngushtë operatorësh ekonomikë pranë pushtetit.
Partia Demokratike ripërsërit thirrjen e saj.
SPAK të hetojë si shpenzohen paratë e shqiptarëve.
Mjaft më me propagandë.
Mjaft më me padrejtësi.
Mjaft më me vjedhje e korrupsion.
Shqiptarët kërkojnë drejtësi.









