TIRANË, 29 prill 2013 – Kryetari i PS-së, Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë të mediave të ndryshme zbardhi disa nga pikat e marrëveshjes me LSI, por njëkohësisht dhe sqarime për shumë tema të nxehta të politikës së këtyre ditëve si listat zgjedhore, çështja e KQZ-së, incidenti në Vienë etj.

Rama deklaroi se ndryshe nga 4 vite më parë, këtë herë ai do të jetë pjesë e listës së deputetëve dhe sesioni i ardhshëm parlamentar do ta gjejë në Kuvend. I pyetur nga gazetarët lidhur me listat zgjedhore në qarqe të ndryshme dhe kur pritet të bëhen publikë emrat e kandidatëve në garë për çdo qark dhe se a ka pakënaqësi mes kandidatëve apo deputetëve aktualë, Rama theksoi se do të përzgjidhen ata njerëz që pritet të çojnë përpara projektin historik të PS-së.

“Në raport me listat e natyrshme që të ketë ndonjë stonaturë, dalje publike, i mirëkuptoj stonaturat dhe pse janë plotësisht të evitueshme, ne po punojmë dhe po bashkërendojmë idetë dhe sensin logjik të gjithë ndërtimit të skuadrës sonë ku janë përfshirë drejtues politike, drejtues lokalë dhe aktorë dhe faktorë të rëndësishëm të jetës politike brenda familjes sonë politike, por dhe të jetës sociale në zona dhe komunitete të ndryshme. Skuadra jonë kombëtare do jetë në lartësinë e sfidës në çuarjen përpara të projektit tonë histori”,- tha kryesocialisti.

Në të njëjtën kohë Rama deklaroi se me ardhjen në pushtet, socialistët të cilët do të marrin postin e ministrit do heqin dorë nga mandati i deputetit. Kjo sipas tij do të bëhet për të krijuar një ekuilibër të ri dhe hapësirë më të madhe për kontrollin parlamentar. 

 

Rama duke iu bashkuar mendimit të ndërkombëtarëve për kostituimin e KQZ, u shpreh i gatshëm për gjetjen e një zgjidhjeje. Rama tha se edhe nëse KQZ do të vazhdojë të funksionojë në këtë formë siç është tani, Berisha nuk do guxojë të prekë votat sepse historia nuk do të përsëritet. 

Kryesocialisti bëri me dije se kreu i LSI-së Ilir Meta ka përjashtuar LSI-në nga prezenca e zgjeruar në listat zgjedhore. 

/m.b. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/