Sot në Tiranë do të mbahet takimi i radhës i Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE.
Pjesë e delegacionit të Parlamentit Europian që ka mbërritur në Tiranë është dhe eurodeputeti Fredi Beleri, ish-kryetari i Bashkisë së Himarës, i cili humbi mandatin pasi u dënua me vendim të formës së prerë për korrupsion zgjedhor. 

Në këtë takim marrin pjesë 10 deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët ulen bashkë me Parlamentin Shqiptar. 

Në krye të evropianëve është italiani, Marko Tarkuinio, ndërsa në delegacion janë edhe dy shqiptarë, Adnan Dibrani vjen nga Suedia, ndërsa Fredi Beleri rikthehet në Shqipëri, si eurodeputet grek. 

Mësohet Beleri nuk pati një takim me kryeministrin Edi Rama. 

Në axhendën e shpërndarë paraprakisht delegacioni kishte një takim dhe me kryeministrin në orën 10, por që nuk u zhvillua, ndërkohë që nga zyra e kryeministrit nuk jepen shpjegime.  

Në këto momente delegacioni po zhvillon takime në Kryesinë e Kuvendit me grupet parlamentare dhe në orën 15 do të nisë dhe sesioni i parë i takimit të Stabilizim-Asocimit, ku nuk do të mungojnë edhe deputetët demokratë.