Kryeministri Edi Rama është shprehur edhe një herë se Kadastra është turpi i qeverisë së tij, për pasojë ka paralajmëruar ndryshime drastike.

Gjatë takimit me socialistët në Fier, ai tha se shumë shpejt do të mbyllet çdo derë e Kadastrës dhe të gjitha shërbimet do të merren online, pa pasur nevojë për të kontaktuar me punonjës të institucion. Një mënyrë e tillë, për kreun e qeverisë, do të shmangte korrupsionin dhe shkeljet e ligjit.

“Do e bëjmë shumë shpejt, do mbyllim dyert e Kadastrave, duhet të mjaftojë që aplikimi të bëhet online dhe ta marrin po online shërbimin që kërkojnë brenda afatit, pa pasur nevojë për të takuar njeri dhe pa qenë në dorën e një regjistruesi, brenda qershorit do bëjmë dhe prezantimin dhe do veprojmë shumë shpejt, për t’ua hequr njerëzve këtë barrë”, tha Rama.

Këtë ndryshim Rama e nisi duke ndryshuar drejtuesit. Në mars të këtij viti, Rama shkarkoi Artan Lamen dhe vendosi në krye të Kadastrës Dallëndyshe Bicin.