24 dhjetor 2014 –  Pas gati pesë vitesh, Edi Rama dhe Arian Çani janë takuar përsëri bashkë, madje e kanë uruar njëri- tjetrin për festat. Duken të qeshur në këtë foto, ndërsa kanë trokitur gotat në mbrëmjen e organizuar me gazetarët për festën e fundvitit, të martën në Pallatin e Brigadave. Çani, një mjeshtër i ironisë, e ka përcjellë pa asnjë shqetësim ironinë e kryministrit me emrin e tij gjatë fjalimit.

Duke iu referuar Tv Klanit, Rama tha gjatë fjalimit të tij se "punë legenësh ne socialistët Sandër, s’jemi burra që ta heqim shikimin. Por të paktën e kemi edhe një si puna jonë në kullën tënde, kemi Fevziun. Ti me siguri mendove kur thashë unë kemi një si puna jonë, Arian Çanin, por Ariani ha bukë veç, nuk konkurrohet në diametër".

I pyetur se pas takimit me Ramën, a do të jetë ky i fundit i ftuar në Zonë e Lirë, Arian Çani tha: "Sigurisht, ftesa ime është dhe mbetet në fuqi. Zonë e Lirë është platformë e hapur për të gjithë, pavarësisht diametrit të legenit. Aty thuhet gjithçka dhe kryeminstri duhet të përfitojë për të shpalosur metaforat e tij. Në fund të fundit, refuzimi nuk mund të zgjati pafund. Unë e mirëpres", tha Çani .

/lapsi.al/