TIRANE, 30 prill 2013– Ditën e sotme Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së tij, ka deklaruar se zgjedhjet e 23 qershorit janë më të rëndësishmet për vendin që pas vitit 1992, jo vetëm për 4 vitet e ardhshme, por për përcaktimin e rilindjes së vendit. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, Rama u kërkoi ndjesë deputetëve të partisë së tij për gabimet e bëra.

“Kemi pasur kundërshtime të shumta dhe rivalitetet e brendshme janë kthyer në deformime të imazhit të PS-së, e cila për nga shkalla e lirisë është e pakrahasueshme me nivelin e mungesës së lirisë që ka kthyer partinë e kundërshtarit në oxhak familjar dhe klanor. Është dita sot, që për çdo gabim timin padashje, në rrugën e vështirë që kemi përshkuar deri këtu, për të thënë se kërkoj sinqerisht ndjesë. Të gjithë pjesëtarët e këtij grupi kanë qenë dhe do të mbeten bashkëpunëtorët e mi më të afërt”, është shprehur Rama.  

21 janari, amaneti për drejtësi

Në fjalën e tij, Rama tha se  “21 janari është amaneti më i madh për drejtësi. “Kemi humbur njerëz. 21 janari mbetet amaneti i madh i këtij 4 vjeçari në opozitë dhe një prej synimeve tona në drejtësi gjatë 4 vjeçarit tjetër në qeverisje”, deklaroi kryesocialisti.

Opozita fitore plebishitare në zgjedhjet e 23 qershorit

Ai ndali tek përgatitja e opozitës për të realizuar atë që ai cilësoi si fitore plebishitare në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. “Është domosdoshmëri që së bashku të shkojmë qytet më qytet dhe fshat më fshat, por dhe derë më derë dhe të përçojmë këtë garanci. Ne nuk jemi njëlloj me të tjerët por jemi garancia se punët e këtij vendi do të bëhen ndryshe.Imazhi i Shqipërisë sot është imazhi i një vendi që nuk bën zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe që nuk bën dot rotacion politik.Ne jemi këtu si e vetmja forcë dhe e vetmja mundësi për ta ndryshuar rrënjësisht këtë imazh”, është shprehur Rama ndërsa akuzoi kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij si dhe kryeparlamentaren Topalli.