Grupi i këshilltarëve bashkiakë të PD-së kërkon interpelancë me kryebashkiakun Dako për vonesat e prezantimit të projektbuxhetit të këtij viti. Dako duhet të prezantojë më parë draftin e buxhetit e më pas të flasë për mungesë fondesh për investime.  

Kryetari i këshilltarëve të  PD-së në Këshillin Bashkiak të Durrësit, Zamir Ramadani, ka deklaruar për gazetën “Dyrrah” se kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, është thirrur në interpelancë në lidhje me vonesat e pajustifikueshme që po i bën prezantimit të projektit të draftbuxhetit si dhe për mos transparencën dhe bllokimin që i ka bërë Këshillit Kulturor.

Sipas Ramadanit,- “Bashkia e Durrësit në mënyrë të papërgjegjshme po vonon në skajet ligjore prezantimin e projektbuxhetit të bashkisë, në një kohë që nuk po bën transparencën e Këshillit Kulturor të kaluar dhe për më tepër nuk po pranon frymën e konsensusit dhe dialogut, për sa i përket formatimit të Këshillit Kulturor”.

Duke komentuar pretendimet e kryebashkiakut Dako, sipas të cilit të djathtët po bllokojnë qëllimisht formatimin e Këshillit Kulturor për të sabotuar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, Ramadani ka deklaruar se,- “Këto nuk janë veçse justifikime dhe gënjeshtra për të shmangur transparencën e punës së Këshillit të kaluar Kulturor , i cili në disa raste në mungesë të disa anëtarëve ka marrë vendime për projekte me shuma të mëdha parash, pa bërë transparencën e duhur.

Po kështu, kryetari i Bashkisë po kërkon që me të njëjtën frymë dhe metodë të ndërtojë një Këshill të ri Kulturor, pa pranuar asnjë lloj konsensusi dhe dialogu për formimin e një këshilli që është vërtet profesional dhe mbron interesat e qytetarëve si dhe jetës kulturore dhe artistike në qytet. Pikërisht për këto arsye është thirrur në një interpelancë urgjente kreu i bashkisë së Durrësit”.

Në lidhje me pretendimet e kryetarit të bashkisë për sa i përket buxhetit të pamjaftueshëm për shkak të tarifave të ulëta të paketës fiskale dhe bllokimit të lejeve të ndërtimit, Ramadani ka theksuar se,- “bashkia e Durrësit dhe z. Dako në radhë të parë duhet të paraqesin projektin e draft buxhetit dhe më pas të ankohen për mungesën e parave.

Për sa i përket këtij pretendimi mund të them me garanci se bashkia e Durrësit është ndër bashkitë me fonde më të mëdha të akorduara nga shteti dhe me buxhet të konsiderueshëm vetjak, por problemi i pushtetit lokal është se duhet të punojë më shumë për vjeljen e taksave dhe të jetë një menaxhere më e aftë.

Bashkia nuk duhet të shikojë vetëm në drejtim të punësimit të militantëve, por në drejtim të interesave të qytetit. Për sa i përket çështjes së tarifave të ulëta të paketës fiskale që pretendon Dako, mund t’i them se tarifat e paketës fiskale janë normale dhe në favor të qytetarëve, pasi bashkia nuk mund të mbushë arkën duke dënuar qytetarët, por duke punuar dhe mbledhur të ardhura me një menaxhim të mirë”.

Kreu i këshilltarëve të PD-së ka deklaruar se me iniciativën e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti u bë transparenca me grupet e interesit për paketën fiskale, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme që kanë të bëjnë me mjedisin dhe fusha të tjera me prioritet investimesh.

Duke ju referuar deklaratës së Dakos, se për shkak të mungesës së parave do të rrezikohen disa nga investimet e rëndësishme të Bashkisë së Durrësit, Ramadani ka deklaruar se,- “Bashkia dhe Dako nuk duhet të gjejnë shkaqe për të justifikuar premtimet që ju bënë qytetarëve në fushatën elektorale, por duhet që t’i mbajnë këto premtime. E përsëris, bashkia duhet të punojë dhe administrojë mirë, pasi paratë nuk mungojnë”.

Kreu i Këshilltarëve të djathtë ka komentuar gjithashtu edhe çështje që kanë të bëjnë me fillimin e sezonit turistik duke deklaruar se pushteti vendor i qytetit bregdetar duhet të bëjë më shumë për të garantuar një sezon të suksesshëm. Sipas Ramadanit nuk duhet të përsëritet situata e sezonit të kaluar turistik, ku plazhet publike dhe private u ndanë sipas orekseve të administratës dhe kryetarit Dako, nuk duhet që Rojet Bregdetare të funksionojnë në fund të sezonit, nuk duhet gjithashtu që në disa sektorë të zonës turistike të ketë probleme me pastërtinë.

Së fundi Ramadani ka reaguar dhe ndaj akuzave të kryebashkiakut Dako për paligjshmërinë e ndërtimit të portit të peshkimit në krahun perëndimor , duke anashkaluar Bashkinë e Durrësit. Sipas Ramadanit,- “bashkia bëri gjithçka për ta bllokuar këtë projekt, por më së fundi ka nisur ndërtimi i një porti që do të zgjidhë përfundimisht problemet e peshkimit.

Vendimet e qeverisë në lidhje me këtë çështje kanë qenë ligjore dhe transparente, gjë që është shprehur dhe në vendimin e gjyqësorit”.