Kryeministri Edi Rama ka zbardhur përmes një video live në rrjetet sociale diskutimet e zhvilluara gjatë takimit me ministrat në Pogradec. Rama tha se gjatë mbledhjes janë konsoliduar qëndrime të reja për raportin qytetar-shtet, qasjen e Partisë Socialiste në territor dhe programet e vitit të dytë të mandatit.
Rama shpjegoi mënyrën se si do të funksionojë “Pasqyrë Albania”, platforma e re e prezantuar nga qeveria për marrëdhënien mes qytetarëve dhe institucioneve ndërsa tha se ajo do të shërbejë si një dritare ku qytetarët do të mund të informohen në kohë reale për punën e institucioneve, ndërsa kërkesat dhe ankesat e tyre do të ndiqen deri në zgjidhjen e tyre.
“Pasqyrë Albania”, dritarja e vetme dhe unike ku qytetari do të drejtohet për t’u informuar në kohë reale për qeverinë dhe shtetin e tij. Do të kemi mundësi të bashkëngjisim edhe elementet e pushtetit gjyqësor, për të pasur aksesin e qytetarit edhe aty. Pushteti nuk është thjesht halli, kërkesa që konceptohet si një letër, si një pako që çohet me postë, por statusi ndiqet në kohë reale dhe mbart edhe përgjegjësitë e afatet. Dhe kjo është një pjesë e këtij projekti. Është edhe pjesa tjetër që shkon qeveria te qytetari, për të mos ta lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumente përballë algoritmit. Këtu nuk flasim për një portal propagandistik, që do të tregojë se çfarë do të bëjmë ne në të ardhmen, por do të shohësh se çfarë po bën shteti, do të shohësh statusin e një rruge, kush po e bën, pse po vonohet, sepse ajo është një punë që po bëhet për ty dhe mund ta ndjekësh”, tha ai.
Sipas Ramës, “Pasqyrë Albania” do t’i japë qytetarit më shumë informacion dhe transparencë në marrëdhënien me administratën, duke e lidhur platformën me bazën teknologjike të e-Albania.
Sa i përket programeve, ai tha se në fokus të qeverisë do të jenë shëndetësia, arsimi dhe krijimi i asaj që e cilësoi “Shqipëria Sociale”, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Rama foli edhe për çmimet e ushqimeve bazë, duke njoftuar se qeveria po përgatit një plan për rritjen e transparencës ndaj qytetarëve.
Në fund, kryeministri e cilësoi protestën e zhvilluar gjatë muajve të fundit si një “dhuratë”, duke thënë se ajo i ka dhënë qeverisë mundësinë të reflektojë dhe të përmirësojë mënyrën e qeverisjes.





