13 dhjetor 2014 – 1000 javë në krye të La Ligas. Kjo është statistika më domethënëse për të treguar dominimin absolut të Realit të Madridit në futbollin spanjoll. Me fitoren 1-4 në fushën e Almerias, Los Blancos siguruan kryesimin edhe pas javës së 15 të Primera Divizion, duke arritur një shifër të pabesueshme. Reali i Madridit e ka fituar 32 herë kampionatin gjatë historisë së futbollit spanjoll, si dhe është shpallur 21 herë nënkampion, shifra këto që e bëjnë klubin më të titulluar në vendin iberik.
E dyta në listë është Barcelona, e cila e ka kryesuar në 643 javë La Ligan. Katalanasit e kanë fituar 22 herë titullin, ndërsa e ka përfunduar plot 24 herë të dytët kampionatin. Pas blaugranave vjen Atletico e Madridit me 254 javë kryesim, Atletic Bilbao me 164 jave e kështu me radhë. Formacioni i Carlo Ancelotti do të niset drejt Marokut për botërorin e klubeve me rekordin e 20 fitore radhazi, që është edhe rekordi absolut në historinë e futbollit spanjoll. Realit i duhet edhe 5 suksese radhazi, për të thyer rekordin Guinness që mbahet nga skuadra braziliane Coritiba, me 24 fitore të njëpasnjeshme.





