Numri i ndjekësve në rrjetet sociale është një nga matësit modernë, pse jo dhe më ideali për të njohur popullaritetin e një klubi në botë. Sipas një studimi të kryer nga “OLBG”, Reali i Madridit është mbret edhe në këtë statistikë. Klubi madrilen është skuadra e të gjitha sporteve që ka më shumë ndjekës në “Instagram” se çdo klub tjetër sportiv në botë. Madrilenët numërojnë rreth 145 milionë ndjekës në “Instagram” dhe kjo “ushtri” virtuale i ka mundësuar klubit të bardhë të arkëtojë shuma të majme për çdo postim.

Madrilenët fitojnë plot 1.35 milionë euro për çdo postim të tyre në këtë platformë sociale. Pozicioni i dytë është i zënë nga Barcelona në një listë prej dhjetësh klubesh sportive të dominuar nga futbolli dhe në të cilën vetëm dy klube basketbolli ndodhen në fund, Golden Stejt Uorriors dhe Los Anxhelos Lejkers, pjesë e NBA-së. Podiumi i Realit dhe Barcelonës plotësohet me Paris SG-në. Kampionët e Francës fitojnë diçka më shumë se 600 mijë euro për çdo postim në “Instagram”.