Neymar Junior ka nisur bisedimet me Realin e Madridit me shpresën se do të mund të bëhet pjesë e klubit “merengues” që këtë verë. Sikurse informon e përditshmja spanjolle “As”, një i dërguar i klubin kryeqytetas është takuar të paktën dy herë me brazilianin në shtëpinë e këtij të fundit në Rio De Janeiro.

“As” shpjegon më tej se Reali ka gjetur një ndërmjetës shumë të rëndësishëm për të avancuar bisedimet, pikërisht bashkombësin e Neymar, Ronaldo “Fenomenin”. Disa burime zbulojnë se për këtë transferim Reali do të paguajë shifrën rekord 260 milionë euro.

Neymar, i cili vijon prej disa javësh fazën e riaftësimit pas operacionit në kavilje, ishte i pranishëm në stadiumin “Saint Denis” për finalen e Kupës së Francës, të cilën PSG e fitoi 2-0 ndaj modestëve të Les Herbiers.