Java e katërt e Kategorisë Superiore në sezonin 2016-2017 ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar. Ekuilibër befasues në thuajse të gjitha ndeshjet elitare, me vetëm një gol të shënuar në 5 sfida të luajtura. Xhejms Adeniji ishte autori i golit të vetëm në suksesin e Skënderbeut ndaj Luftëtarit, ndërsa barazimet 0-0 në katër përballjet e tjera përcaktuan një primat të ri për numrin më të vogël të golave të shënuar. Rekordi datonte 60 vjet më parë, më 16 Tetor 1956, java e kampionatit ishte mbyllur me vetëm dy gola të shënuar, nga Puna e Tiranës në fushën e Lokomotivës së Durrësit. Fundjava që kaloi në Superiore është një tregues se thuajse të gjitha ekipet vuajnë mungesën e lojtarit gol, të elementëve që tërheqin skuadrën në momentet më të vështira dhe i japin fitoren. Përveç Skënderbeut, ku në mungesë të golave të Salihit, që nuk realizon në dy ndeshjet e fundit, protagonistë janë Serginho apo Xhejms, skuadrat e tjera janë në kërkim të bomberave.Me golin e përpara dy javëve në Durrës, Ekuban i Partizanit ka shënuar vetëm një herë në katër ndeshje, ndërsa gjeografia e rrjetave për të kuqtë shpërndahet mes mesfushës dhe mbrojtjes. Deri në ndeshjen në Laç, te Kukësi Pero Pejiç ka bërë atë që pritej prej tij. Kroati ka realizuar 3 gola, prej të cilëve 2 me penallti, por ka rezultuar vendimtar vetëm në përballjen e veri-lindorëve me Teutën, ku shënoi dy herë.Në Shkodër në pritje të golave nga Pepa, Shtubina apo Kalaja, Vllaznia ka gjetur te 18-vjeçari Rubin Hebaj goleadorin e së tashmes dhe shpresën e së ardhmes. Hapi fals në shtëpi me Teutën bën që Flamurtari të mbetet në pritje të sinjaleve nga sulmi. Rrjeta e Bushiç në goleadën me Luftëtarin mbetet një episod i veçuar, ndërsa Fazliu ende nuk ka shënuar. Në këtë situatë, rolin e goleadorit në Vlorë e ka marrë Donjet Shkodra, me tre gola, por edhe mesfushori nga Prishtina nuk shënon prej dy ndeshjesh.Tirana mbetet në pritje të afrikanëve, të afruar me bujë gjatë merkatos së verës, ndërsa me problematike situata në ekipet e tjera, tre prej të cilave nuk kanë shënuar asnjë gol në katër ndeshje. Mes tyre janë Laçi i brazilianëve, Teuta që gjatë verës huazoi Bangal nga Atalanta, por edhe Korabi, që pret magjitë e Nexhipit dhe golat e Sebino Plakut. Mungesa e golave lidhet edhe me diferencat e vogla që kanë skuadrat, pas një merkato ku praktikisht të gjitha ishin protagoniste me shpenzime të rëndësishme dhe afrime të bujshme, duke premtuar që deri në fundin e sezonit, rivaliteti do të jetë i madh si për titullin, ashtu edhe për një vend në kupat e Europës dhe për mbijetesën mes më të mirëve.