Renato Arapi thotë “stop”. Pas 18 vitesh në futbollin profesionist, kapiteni kampion i Teutës ka vendosur të tërhiqet. Mbrojtësi që mbush 35 vjeç më 28 shtator, është përshëndetur dje me shokët e skuadrës. Ka qenë një vendim disi i papritur për tifozët dhe ambientin rreth ekipit, por që vetë Arapi e ka menduar gjatë dhe pas një sezoni fantastik me skuadrën e zemrës, ka vendosur të varë këpucët në gozhdë. Mbrojtësi që fitoi 6 tituj kampionë radhazi me Skënderbeun, si dhe një me Teutën si kapiten, ka rrëfyer edhe arsyet e kësaj tërheqjeje. Ai zbuloi se ëndrra e realizuar për fitimin e titullit në Durrës ia bëri më të thjeshtë vendimin.
Renato, për të gjithë ata që ndoshta janë befasuar që u tërhoqët nga futbolli në këtë moment, pse e morët këtë vendim?
Mendoj se ishte momenti i duhur që të tërhiqesha, pasi mbyllëm edhe një sezon fantastik, duke fituar titullin pas 27 vitesh. Ideja ishte që ta lija unë futbollin, jo ai mua (qesh).
E ndienit që nuk kishit se çfarë jepnit më apo ka një arsye më të fortë në këtë moment?
Besoj se ishte më e mira në këtë moment, si për mua dhe për të gjithë, nëse nuk jepja më.
Mbyllja si kampion me Teutën besoj se ishte një arsye më shumë për t’u larguar pa mbushur ende 35 vjeç…?
Po, sigurisht, sepse edhe kur u riktheva nga Turqia dhe firmosa me Teutën, qëllimi dhe ëndrra ime ishte të fitoja titullin në qytetin tim. E arritëm këtë dhe jam shumë i lumtur.