Nesër në portin e Durrësit pritet të akostohet kroçera e parë e këtij viti, e cila do të sjellë 44 turistë francezë.

“La Belle Dell’Adriatique”, e cila që prej disa vitesh është bërë pjesë e guidave turistike detare drejt Durrësit pritet të mbërrijë rreth orës 7:30 në qendër të portit më të madh të vendit. Anija turistike me gjatësi 110 metër do të akostohet në molin 5 të portit.

Turistët e organizuar në grupe dhe nën kujdesin e operatorëve turistikë do të vijojnë më pas me automjete drejt qyteteve të Krujës, Beratit dhe Tiranës, ku do të vizitojnë qendrat historike dhe muzeale. Një pjesë e tyre parashikohet të qëndrojnë në Durrës për të vizituar Muzeun Arkeologjik të qytetit si dhe Amfiteatrin antik.

Autoriteti Portual Durrës njofton se ka marrë të gjitha masat për zbatimin e protokolleve shëndetësore si dhe ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual.