28 prill 2015 – “ATSH”-ja sot i ka dedikuar një shkrim të shkurtër një prej zonave më të bukura të qytetit të Durrësit, atë te Kodrat e Currilave, të cilin e ka shoqëruar edhe me disa foto nga pamjet e mrekullueshme që të ofron natyra e bukur.

Kodrat e Currilave në Qytetin e Durrësit tani kanë një tjetër pamje nga ajo e para disa viteve, ku rrëshqitjet dhe balta ishte problem jo vetëm për banorët e lagjeve poshtë saj, por edhe e kalimtarëve që drejtoheshin për nga plazhi tradicional me të njëjtin emër “Currilat”.

Ishte një nismë e Ministrisë së Mjedisit  në kuadër të mbrojtjes së zonave të pyllëzuara që ishin në rrezik shpyllëzimi dhe shndërrimi në toka pa bimësi.

Në këtë kuadër u ripyllëzua dhe u mbrojt nga erozioni dhe kodra e Currilave. Rrjetat e vendosura në zonat e rrëshqitshme, skrapatet e krijuara në faqen e kodrës dhe ngritja e mureve mbrojtës, kanë bërë që kjo zonë të futet te natyra e bukur e qytetit të Durrësit. Këtë sezon veror pushuesit durrsakë por jo vetëm, do të shfrytëzojnë të qetë edhe plazhin e Currilave.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/