2 maj 2015 – Nga një zonë me infrastrukturë të degraduar, dalëngadalë po kthehet në një atraksion të vërtet turistik. Rruga që nis nga Torra Veneciane në drejtim të Kodër-Vilës, e gjatë plot 1.3 kilometra, prej kohësh po i nështrohet rehabilitimit të plotë. Gropat e mëdha të hapura mbi një infrastrukturë të degraduar janë lënë pas. Rijetëzimi i projektit me shëtitore të konceptuara si pistë vrapimi, rrugë e asfaltuar dhe parku i gjelbëruar në kodër janë pamja e re e saj. Kanalizimet e ujërave të bardha e zeza, tashmë kanë përfunduar, ndërsa muret mbajtëse prej betoni me qëllim frenimin e erozionit të tokës janë vendosur. Kthesa e rrugës është zgjeruar. Trotuaret, të konceptuar edhe si pistë vrapimi, të shtruara me beton dhe me imitacion guri po shkojnë drejt përfundimit.

Ura pranë godinës së Vilës për kalimin e këmbësorëve dhe automjeteve, është vënë në në funksion të komunitetit, ndërsa tre parkime të vendosura përgjatë rrugës lehtësojnë qarkullimin e drejtuesve të mjeteve. Për të lehtësuar lëvizjen e këmbësorëve, përgjatë kthesave të rrugës së vilës janë ndërtuar shkallë të cilat shërbejnë për të zbritur dhe për t’u ngjitur në parkun e gjelbër. Nëpërmjet këtij investimi të rëndësishëm, me vlerë 89 milionë lekë, po u kthehet qytetarëve një hapësirë urbane me standarde, ku çdokush mund të mbërrijë këtu për të shëtitur, argëtuar e shijuar panoramën e qytetit, nga një prej pikave më të larta të tij. E konceptuar si një rrugë panoramike, ndryshe nga të tjerat, pritet t’i sjellë një zhvillim edhe resurseve turistike e historike, të cilat që tani kanë nisur të frekuentohen masivisht.

   Vila e Zogut/Fari

Në majë të kodrës ndodhet vila e famshme e ish-mbretit Zog, e cila ka nisur të ndërtohet në vitin 1925 nga arkitekti i mirënjohur Kristo Sotiri në stilin liberti, ndërsa më vonë me ndërhyrjen e një arkitekti italian mori pamjen që ka sot. Pavarësisht gjendjes, ku për fat të keq po degradon dita-ditës, Vila konsiderohet një godinë me vlera historike dhe arkitektonike. Falë investimit në infrastrukturën rrugore, rezidenca mbretërore po tërheq interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj. Por, ky nuk është i vetmi aset, pasi pak metra më tutje ndodhet një tjetër objekt me vlera historike, të cilin ia vlen ta vizitosh. Fari, ende në funksion për të orientuar anijet që lundrojnë në ujërat tona, mbetet një tjetër mrekulli e kodrës. Pavarësisht se rruga për të mbërritur atje, e shkëputur nga investimi i fundit, është paksa e vështirë për t’u kaluar, të shumtë janë ata që kanë treguar interes. Ndaj, ndërhyrja e institucioneve për t’i shndërruar në objekte tërheqëse për turistët, mbetet mjaft e rëndësishme për zhvillimin e kësaj zonë.

   Teatri Veror

Dikur një vend mjaft i frekuentuar nga qytetarët durrsakë, sot thuasje i braktisur. Teatri veror, i cili gjendet poshtë parkut ish-Rinia nuk e kryen më funksionin e tij për shkak të ndërtimeve të shumta ndër vite. Kthimi i këtij teatri në identitet apo në funksion të komunitetit, vend në të cilin mund të jepen shfaqe me karakter kulturor, gjatë sezonit veror, do të gjallëronin zonën.

  Kurora e Gjelbër

Parku i Kodrës  mund të konsiderohet pa asnjë dyshim mushkëria e qytetit bregdetar, me një biodiversitet të mrekullueshëm. Nga lartësia pamja shtrihet jo vetëm përgjatë vijës bregdetare të Durrësit, ku qartazi shihet  jo vetem porti i qytetit, shëtitorja “Taulantia”, plazhi i Currilave, por i gjithë qyteti, në të katër anët e tij. Këtu çdo ditë mbërrijnë qytetarë të grupmoshave të ndryshme, të cilët shijojnë relaksin e ajrin e pastër që ta ofron e vetmja zonë e gjelbëruar e qytetit.

 

 

 

Agjencia e lajmeve “Dyrrah”