·       Angazhim i fuqishëm në mbështetje të traditave

·       Krijohet Akademia “Dhimitraq Goga”

·       6 ekipe me 130 sportistë nisin nga përgatitjet

NGA BUJAR QESJA

DURRËS, 6 korrik 2015 –  Përpjekje marramendëse vihen re tri muajt e fundit në Durrës. Një grup basketbollistësh të aktivizuar në vite, mjaft prej të cilëve kanë veshur edhe kostumin e menaxherit dhe sipërmarrjeve financiare, shpalosin planet e tyre në rizgjim të basketbollit me tradita të shkëlqyera në qytetin e Durrësit. Ndër nismëtarët më aktive të ngacmimit të këtij rizgjimi është Perikli Goga. Me origjinë nga një familje me shumë tradita në sporte dhe veçanërisht në basketboll, Igli (kështu thërritet Perikliu) lidhi “besën” me të tjera emra të njohur të basketbollit si Sabri Rustemi, Zhani Noti, Ylli Ballanca dhe Emilian Jani. Dhe pas kësaj lindi…

… SHOQATA DHE AKADEMIA “DHIMITRAQ GOGA”

Dhimitraq Goga është kolosi i basketbollit durrsak, që së bashku me Bashkim Tagën hodhën rrënjë në thellimin dhe mirëmbajtjen e traditave të hershme të sportit të koshit. Është Dhimitraq Goga që “mbolli” dhe rriti brezin e artë të të rinjve në fundin e viteve 50-të dhe fillimin e viteve 70-të, bënë ligjin në basketbollin shqiptar duke mbretëruar 11 vite kampionë. Virtuoziteti i tyre, arriti të krahasohet me “harlemat shqiptarë të koshit”. Me 29 qershor 2015, në nderim të 90-vjetorit të lindjes së mjeshtrit (i ndarë nga jeta një vit më parë), u organizua një veprimtari përkujtimore dhe u bë e njohur edhe përcaktimi i kësaj ngjarjeje si dita e basketbollit durrsak. Gjendja aspak e mirë prej vitesh e Teutës së koshit, e veçanërisht mosekzistenca e ekipit të femrave, ngacmonte shumë ato që e kishin në gjak basketbollin. Igli Goga shprehet:

– Shqetësimin për gjendjen ia bëmë prezent kryetarit të bashkisë Vangjush Dako dhe për këtë e njohëm edhe me planin aktiv të ringritjes apo rizgjimit të basketbollit. Por më parë duhej të konfirmohej ngritja e një shoqate dhe akademie serioze, korrekte dhe e angazhuar maksimalisht për përmirësimet. Dhe Dako na dha okej, për të mbështetur fuqimisht këtë strategji rizgjimi. Urdhëroi të gjitha strukturat në vartësi të bashkisë të mbështetej shoqata “Dhimitraq Goga”. Dhe nga muaji prill 2015 ne jemi në një mjedis të përshtatshëm në pallatin e sportit “Ramazan Njala”.

MUZEU DHE EKIPET

Na kishte marrë malli të shikosh basketbollistë të të gjitha brezave të angazhohen me përtëritjen e traditave. Fillimisht ato mbështetën me reliktet e tyre, fotot aq mbresëlënëse të Teutës në vitet e lumturisë së saj. Dhe u ngrit një muze i bukur, i cili vazhdon të pasurohet. Shpejt ky muze i gjallë i traditës, pritet të ekspozohet në galerinë e arteve në qendër të qytetit, për të ngacmuar publikun e gjerë për atë çka ishte Teuta dikur, me dëshirën e mirë të ribërjes. Pas kryesisë, u krijua edhe asambleja e shoqatës “Dhimitraq Goga”, me emra aq pikantë si Nysret Reka, Besnik Çela, Ad Veliu dhe Lavdosh Aliaj. Gjërat janë të kopsitura në mënyrën më të mirë të mundshëme. Si mund të funksionoj në mënyrë ritmike basketbolli i Teutës, larg luhatjeve të skajshme prej shumë vitesh? U ndërtua Akademia me emrin Dhimitraq Goga. U ofruan specialistë me përvojë si 82-vjeçari Gjon Luli, trajneri tjetër me shumë përvojë Haxhi Boshnjaku dhe brezi i ri i specialistëve me Osvald Turmalaj, Olti Shtëmbari, Ondis Prifti dhe Milaim Lubishta. U shpërndanë me mijëra fletë palosje në të gjithë qytetin dhe rrethinat e tij. Krijimi i shoqatës dhe akademia Dhimitraq Goga, filloi të bëhej kryebiseda e ditës, ku opinioni qytetar është në një reagim gjithnjë e më në rritje. U ngritën me shpejtësi 6 ekipe moshash (nga 8 deri në 17 vjeç), pa të rinjtë dhe të rriturit. Tanimë 130 basketbollistë të moshave, nën drejtimin e 6 trajnerëve dhe duke shfrytëzuar terrenet stërvitore të parkut sportiv “Nako Spiru”, palestrat e shkollave “Naim Frashëri”, “Jan Kukuzeli”, “Eftali Koçi”, “Marie Kaçulini”, “Kushtrimi i Lirisë”, “Jusuf Puka”, punojnë pa pushim. Jehona e kësaj punë kaloi kufijtë, ku kërkesat për t’u regjistruar në ekipe te akademisë vijnë nga shtete të ndryshme ku jetojnë dhe punojnë familje durrsakësh.

PJERIN BUSHATI, NGA ROMA NË DURRËS

Tjetër goditje spektakolare e sapo ndodhur në pasditen e 1 korrikut. Akademia e basketbollit Dhimitraq Goga shtohet me një specialist rrace siç është i mirënjohuri Pjerin Bushati. I entuziazmuar nga fillimi i një pune kolosale dhe shpresëdhënëse që ndjehet në basketbollin durrsak, ai i bashkohet kësaj nisme të ringritjes duke siguruar shërbimet e tij më korrekte dhe serioze. I datëlindjes 17 gusht 1958, Bushati luajti me Partizanin në vitet 1974-1990, duke dalë 12 herë kampionë dhe kualifikuar në kupat evropiane në vitet 1983 dhe 1988. Në periudhën 1978-1988 është anëtar i ekipit kombëtar të basketbollit. Si trajner drejtoi Partizanin në vitin 1994 dhe më pas zbatoi një projekt trajnimi të fondacionit “Soros” në gjimnazin “Partizani” në vitet 1993-1996. Pasi kreu në Itali dy kurse trajnimi, ngarkohet trajner i ekipit të parë të basketbollit Collefero Roma në Itali (1997-2000). Pjerin Bushati nga viti 2000 e deri në mars 2015, është angazhuar si trajner me ekipet italiane dhe tani së fundi me ekipin e Mini Basket Collefero të Romës. Bushati punon atje si instruktor minibasketi në akademinë e basketbollit “Stella Azura Roma”. Këtë përvojë të grumbulluar Bushati pritet ta përcjellë edhe në basketbollin durrsak nëpërmjet Akademisë së Basketit “Dhimitraq Goga”.

“Jemi me fat, – pohon sekretari i klubit shumësportesh Teuta Kreshnik Leka, – që krahas detyrës si drejtor i Akademisë, Pjerin Bushati mori përsipër edhe drejtimin e ekipit të rinjve të Teutës. Kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor të punës, duke shpresuar për një erë të re të basketbollit durrsak, që sigurisht pritet të reflektojë edhe si violinë e parë në basketbollin shqiptar. Kjo vërtet ka për të qenë mrekulli”. Sa për kërshëri të lexuesit, djali i Pjerinit – Franko aktivizohet në serinë A të basketbollit elitë italian. Bushati është optimist se puna e nisur pritet të japë shumë shpejt frytet e veta. “Kam vënë re një mbështetje të jashtëzakonshme”, – nënvizon, ndër të tjera, mjeshtri i shquar i basketbollit shqiptar Pjerin Bushati. – Është një mbështetje shumëplanesh, nga ajo organizative deri edhe në atë financiare. Afrimi im në basketbollin durrsak, nëpërmjet shoqatës “Goga Basket”, është njëkohësisht edhe fillimi i një lidhje të fuqishme ndërmjet kësaj shoqate me analogen e saj italiane “Stela Azura Roma”. Tashmë kjo është realitet. Jemi në një moment historik të basketbollit. U lumtë durrsakëve që këtë e nisën nga shoqata, e deri në akademinë “Dhimitraq Goga”. Tani Teuta shkon drejt një të ardhmeje të sigurt.

Drejt Romës do të shkojë edhe një përfaqësi e kësaj shoqate, për të konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin ndërmjet “Basket Goga” dhe “Basket Stela Azura Roma”. Mos të duket aspak çudi, ku në ekipin e Teutës nga merkatoja që do të bëhet, mund të ofrohen krahas cilësorëve shqiptarë edhe basketbollistë të huaj, pse jo edhe nga basketbolli i zhvilluar italian.

SIGURIMI I FINANCAVE, KYÇ PËR ARRITJET

Asgjë nuk dhurohet, por fitohet në terrenin praktik të punës dhe organizimit të saj. Igli Goga, me cilësinë e kryetarit të Shoqatës së Basketit “Dhimitraq Goga”, nuk e anashkalon faktin kur flitet për sigurimin e bazës financiare:

– Po japim maksimumin e mundësive tona që brenda shoqatës të sigurohet një fond financiar, duke u angazhuar firma, kompani e individë si “Fital” shpk, gjermanët e “Gala”-s, “Adria Ferri”, “Macaferri Ballkan”, “Gorenja”, “Diamant”, “Noti 3”, “Sigma”, “Ferra&Co” etj. Janë tërhequr reklamat e tyre në pallat dhe është menduar për çdo gjë që ka të bëjë me mbarëvajtjen e punëve. Natyrisht edhe bashkia është në angazhimet e saj, kundrejt këtij riorganizimi të paparë për ta sjellë ashtu si dikur në traditë basketbollin në Durrës të fuqishëm. konkurrues dhe përhapës në radhët e rinisë.

BESNIK ÇELA – TRAJNER I TEUTËS

Pas miratimit të drejtorit të akademisë, kryesia e shoqatës “Basket Dhimitraq Goga”, në mënyrë kolegjiale vendosi që trajner i ekipit të parë të Teutës të jetë emri i njohur i basketbollit Besnik Çela. I datëlindjes 28 qershor 1954, Çela në periudhën 1974-1982, është pjesëtar i ekipit përfaqësues të basketbollit të Shqipërisë, për t’u aktivizuar me Elbasanin (1972-75), me Partizanin (1978-1980) dhe me Teutën (1989-1994). Ndihmësi i Besnik Çelës është caktuar Besnik Dervishi, specialist i ri i basketbollit, i cili prej vitesh ishte i angazhuar në basketbollin e të rinjve. Me këto emërime, krijohet cikli i plotë i organizimit dhe drejtimit të punëve në akademinë e basketbollit “Dhimitraq Goga” në Durrës. Mësohet që, duke filluar nga e diela, 5 korrik 2015, trajneri Çela mblodhi ekipin dhe nisi nga përgatitjet.

– Jam plotësisht i angazhuar, që të meritoj besimin e dhënë. Ekipi i Teutës me këtë përkrahje dhe mbështetje, shpejt do të ngrihet në elitë. Dhe më tej ëndrra vazhdon. Këto ishin deklarimet e para për ne, të trajnerit të Teutës Besnik Çela.

Diciturat e fotove

foto kryesore:  Një nga ekipet e moshave të sapokrijuara, në kuadrin e Akademisë së Basketbollit “Dhimitraq Goga”. Në pamje janë edhe trajnerët Osvaldo Turmalaj, Olti Shtëmbari dhe Milaim Lubishta.

1.    Pjerin Bushati me të birin, basketbollistin e dalluar të serisë A në kampionatin italian Franko Bushati.

2.    Nga muzeumi i sapongritur i traditave i basketbollit durrsak. Në pamjen ballore dallojnë tre kapitujt e artë të këtij basketbolli Dhimitraq Goga, Bashkim Taga (majtas) dhe Niko Hercek.

3.    Trajneri i Teutës Besnik Çela

4.    Sigla e shoqatës së basketbollit Dhimitraq Goga (Goga basket)

 

 

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/