Në qytetin e Durrësit për tre ditë radhazi publiku artdashës pati mundësinë të shihte filmin “Agon”, i cili u shfaq në sallën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”. Filmi “Agon” është një prodhim i “ERAFILM”, me mbështetjen financiare të Qendrës Kombëtare Kinematografike shqiptare, greke dhe rumune, të “Eurimages”. Si një ish-emigrant në vendin fqinj, Itali, regjizori Robert Budina e ka përjetuar personalisht dramën e emigracionit dhe përpjekjen për t’u integruar, kjo është edhe arsyeja pse ai rrëfen jetën e dy vëllezërve në emigracion dhe me këtë synon të zbulojë gjithë kompleksitetin e problematikave që shoqërojnë një emigrant. Filmi u xhirua në Selanik dhe në Kapshticë të Korçës. Kasti përfshin aktorët kryesorë si Antonis Kafetzopulos, Guljem Kotori, Isabella Kogevina, Xhevdet Jashari, Eglantina Cenomeri, Laert Vasili dhe durrsakun Marvin Tafaj. Pas Festivalit të Çikagos filmi “Agon” u shfaq në Tiranë dhe më pas për tre ditë në Durrës për publikun durrsak.

Intervistë me regjizorin Robert Budina dhënë për Lajme Durrës

Cila ishte ideja që ju frymëzoi në realizimin e këtij filmi?

Në fakt, si ide ky film ka lindur shumë kohë më parë për nga mënyra se si përpiqen njerëzit të çajnë në Shqipëri. Po nuk u bëre pak pis është shumë e vështirë të ecësh përpara, kjo gjë është thelbësore. Pastaj duke qenë se unë vetë kam qenë emigrant, doja që të përfshija një pjesë sa më të madhe të shqiptarëve në këtë film, kështu që e vendosa në rrethanat e emigracionit. Por jo, nuk është emigracioni gjëja më e rëndësishme që kam dashur të përcjell me anë të këtij filmi, por është integrimi i shqiptarëve në vend dhe jashtë tij në lidhje me moralin. Pra ideja fillestare e filmit ishte sa jemi të aftë ne të integrohemi me moralin.

Sa realitet dhe sa fantazi ka brenda këtij filmi?

Nga ndonjëherë realiteti kapërcen fantazinë, sidomos realiteti shqiptar që është i mbingarkuar me ngjarje që rrjedhin si rezultat i pamundësive, i tranzicionit super të zgjatur. Pra, duke qenë se nuk e bën dot ndarjen, ku fillon realiteti dhe ku hyn fantazia, aq më tepër në një realitet shqiptar ku këto të dyja janë shumë të gërshetuara me njëra-tjetrën. Por natyrisht që për ta ngritur në art duhen disa detaje që e shkëpusin nga realiteti, sepse përndryshe bëhet dokumentar. Kështu që nuk di ta bëj këtë ndarjen, ato ecin paralelisht me njëra-tjetrën. Frymëzimi ka lindur nga realiteti pa diskutim.

Si mund t’ia përshkruash me fjalët tuaja këtë film publikut?

Filmi është shumë i komplikuar dhe në fakt me të thënë të drejtën ka hapur shumë debate. Në fakt ne këtë gjë e dinim që në fillim, përpara se ta shkruanim, sepse unë kam pasur një tundim të madh, deri ku doja të arrija për ta treguar në mënyrë sa më të vërtetë filmin, mirëpo në film nuk është çështja thjesht ta bësh sa më të vërtetë, por të jesh sa më i besueshëm për publikun. Duke qenë se unë doja t’i flisja hapur realitetit tim dhe duke qenë se dhe realiteti im është i egër dhe shumë i hapur dhe shumë i drejtpërdrejtë nuk ka mënyra të tërthorta. Unë zgjodha një mënyrë komunikimi me publikun duke i shkuar gjërave deri në fund, natyrisht që për të arritur deri këtu, mua më është dashur një luftë e madhe me vetveten, që të mposht vetveten dhe disa klishe që ne shqiptarët i kemi brenda vetes që nuk duam ta shohim veten, pavarësisht se ç’mund të ndodhi realisht ne duam të shohim vetëm sipërfaqen. Duam që veten ta shohim ashtu siç nuk jemi. Nëse ne do të dilnim përpara pasqyrës dhe do shikonim difektet tona me siguri që do të lemeriseshim dhe unë në këtë pikë jam përpjekur të tregohem ashtu siç e mendoj unë botën time duke u munduar t’i shkoj deri në fund idesë sime për të nxjerrë problemet që ne kemi. Dua që t’u komunikoj njerëzve që një pjesë e vogël e tyre janë marrë me sipërfaqen dhe jo me thelbin që këtu pavarësisht se historia ka të bëjë me kriminalitetin, nuk është kriminaliteti gjëja më e rëndësishme. Gjëja më e rëndësishme është familja, e cila përballet çdo ditë me vështirësi  dhe natyrisht që duke ekzistuar kriminaliteti do apo nuk do ti bëhet pjesë e kësaj shoqërie dhe ndërhyn dhe prish këtë thelb të mirë që ne kemi. Domethënë që unë e kam parë filmin në këtë formë dhe duke i përballur këto të dyja vlerat pozitive me vlerat negative, duke i çuar deri në fund kam dashur që të lartësoj vlerat pozitive që kemi, sepse ato dalin në pah vetëm kur ti i vë në vështirësi të mëdha. Në momentin që ti i lë në qetësi ato nuk marrin formën e tyre të plotë, të fortë dhe nuk i nxjerrin në pah vlerat pozitive. Ndryshe pastaj do të kthehej në një pamfletë, ose në një fletë lavdërimi për popullin shqiptar të paepur, i cili përpiqet të arrijë dhe që shumë shpesh nuk do t’i shohë defektet e veta, i fshihet. Sigurisht që realiteti ynë ka dhe shumë shembuj pozitivë, por arti mendoj unë ka detyrë të prekë aty ku dhemb, ndryshe nëse do të ishte një shoqëri perfekte nuk do të kishte aspak nevojë për art, sepse artin do ta bënin të gjithë me jetën e tyre. Pra arti është një pasqyrë e së vërtetës që ndodh në shoqërinë tënde.Këto janë bindje vetjake, nuk janë rregulla.

Sipas pikpamjeve tuaja si u prit nga publiku durrsak ky film?

Publiku durrsak ka reflektuar qartësisht me atë që ka ndodhur me publikun në Tiranë. Publiku në Tiranë ka reflektuar qartësisht me atë që ndodhi me publikun amerikan kur filmi u shfaq në Amerikë, në festivalin “Chikago International Film Festival”, dhe është në frymë shumë unike, 90% janë super entuziastë për filmin dhe një pjesë ndërmjet 10- 5% janë të tulatur dhe një 5% janë të shkundur. Publiku durrsak e ka pritur me shumë dashuri, aq më tepër duke qënë se në film luan dhe personazhi kryesor, i cili është Marvin Tafaj, si pjesë e Durrësit. E ka pritur me shumë dashuri dhe shumë entuziazëm këtë film. Kam marrë reflektime të njerëzve, të cilët më kanë thënë duke u shprehur jo vetëm me mua por dhe me aktorin dhe njerëzit që kanë shfaqur filmin që më në fund ata shohin një dimension ndryshe të filmit shqiptar, i cili përpiqet të komunikojë hapur me publikun dhe nuk e fut veten në klishe, nuk e fut veten në art të qëllimtë, por mbetet i hapur për të gjithë dhe duke qenë i hapur natyrisht që gjithsecili ka të drejtën dhe të mendojë kundër filmit, sepse në momentin që do të ishim të gjithë njëlloj nuk do të kishte pikë kuptimi. Unë personalisht ndjehem shumë mirë, sepse kam realizuar 100% atë që kisha në mendje. Në film mund të mos jetë perfekt, por ajo që unë kisha në mendje është realizuar.

Cili ka qenë momenti  më i vështirë gjatë realizimit të filmit?

Momenti më i vështirë ka qenë gjatë xhirimeve në Greqi kur ne ishim një produksion shumë i komplikuar, me 4 shtete dhe Shqipëria ishte vendi lider që udhëhiqte 4 shtete të tjera, të cilat kanë një eksperiencë të jashtëzakonshme në kinema, kishim bashkëpunëtorë, bashkëprodhues në Rumani, e cila është në majat e kinemasë europiane, momentalisht po e zotëron kinemanë europiane, kishim pranë Francën dhe kishim dhe Greqinë. Të gjitha vendet super të konsoliduara në kinema. Shqipëria është si vagoni i fundit i tyre, nuk e ka atë eksperiencë, por falë skenarit, i cili ngjiti tek bashkëprodhuesit, ata u investuan. Momenti më i vështirë ka qenë kur në sheshin e xhirimit ne kemi pasur një drejtor fotografie, i cili ka fituar Palmën e Artë në festivalin më të madh të botës. Në moshën 36 vjeç ka bërë 13 filma ndërkohë që unë jam më i madh se ai dhe nuk kam arritur të bëj dot një film, natyrisht për të bindur këta bashkëpunëtorë ti duhet të kesh argumenta të forta dhe  igurisht kemi pasur momente kur ai nuk e besonte 100% punën time dhe mua më duhej ta bindja ndërkohë që koha ikte, sepse në shesh xhirim një ditë xhirimi mund të shkojë dhe 20-30 mijë euro dhe çdo vonesë përkthehet në faliment. Ka qenë një ditë e tillë e vështirë, sepse ai nuk e kuptonte dot skenën, nuk e kuptonte natyrisht duke mos qenë shqiptar, nuk arrinte dot ta thithte deri në fund dhe kishte një mendim ndryshe nga ai i imi. Ky ka qenë një moment i vështirë ,por që mbasi mbaroi filmi e pa, ishim të gjithë super entuziastë për atë që kishim realizuar.

Mbresat tuaja për realizimin e këtij filmi?

Janë shumë të forta, sepse faktikisht ka qenë një ndërmarrje shumë e vështirë, ka qenë një ndërmarrje jo vetëm nga ana artistike, por dhe nga ana produktive shumë e komplikuar dhe është shumë e rrallë që të jenë 4 vende në bashkëprodhim për një fakt shumë të thjeshtë, e para se ndahen përqindjet e filmit, e dyta sepse kemi të bëjmë me kultura shumë të ndryshme nga njëra-tjetra dhe që t’i koordinosh që të gjithë që të funksionojnë si një trup i vetëm të duhet një kohë e caktuar dhe meqë ia arritëm që e bëmë këtë trup unike jo vetëm nga ana teknike, por edhe artistike, natyrisht që mbresat janë jashtëzakonisht të forta dhe është një pasuri jashtëzakonisht e madhe që nesër të bësh projekte pa pikë problemi dhe me 20 mln euro. 

Kliko për të parë Videon

http://vimeo.com/49785439