Rroga e Kristiano Ronaldos do të pësojë një zbritje prej 25% sezonin e ardhshëm në rast se Mançester Junajtid nuk arrin që të kualifikohet në Ligën e Kampioneve.Sulmuesi portugez u rikthye në verë në “Old Trafford” për 20 milionë paund nga Juventusi dhe si ai ashtu edhe “Djajtë e Kuq” janë të pakënaqur nga forma e skuadrës, që renditet për momentin në vend të shtatë në Premier Ligë.Junajtid renditet 2 pikë larg vendit të katërt që mbahet aktualisht nga Uest Hemi, por londinezët lanë luajtur një ndeshje më shumë.Megjithatë, rivalët për 4 vendet e para, Totenhemi dhe Arsenali, kanë një sfidë ekstra në dorë. Gara për të shkuar në Champions do të jetë e vështirë dhe pritet të zgjasë deri në javët e fundit të sezonit.

Sipas “The Athletic”, rroga e 36- vjeçarit e cila është 385 mijë paund në javë, do të ulet nën 300 mijë paund (288.000 në javë për të qenë ekzaktë), duke e bërë pagën më të ulët që portugezi ka fituar në këto vitet e fundit. Sulmuesi pranoi që të ulte ndjeshëm rrogën e tij prej 500 mijë paundësh në javë që përfitonte te Juventusi për t’u rikthyer në “Old Trafford” pas 12 vitesh.Por, pavarësisht nga kjo, ai është sërish lojtari më i paguar i skuadrës së Ralf Rangnikut, përpara portierit De Gea (375 mijë paund në javë). Kristiano ka shënuar 14 gola në 23 ndeshje këtë sezon, por vetëm 8 prej tyre janë në Premier Ligë.

Në fakt, në rast se “Djajtë” nuk shkojnë në Ligën e Kampioneve, sipas “The Sun”, ai është duke negociuar me klubin për një largim të mundshëm në fund të sezonit, pavarësisht se kontrata i skadon në vitin 2023.Gjatë një interviste për “Sky Sports”, ai tha se nuk ka ardhur për të luajtur në Ligën e Europës apo për t’u renditur jashtë tri vendeve të para në Premier Ligë. Sot ai pritet të mungojë, pas një dëmtimi në qafë në ndeshjen me Brentfordin.