*Arkitektët e rinj propozojnë ndërtimin e një tuneli prej xhami
Dy arkitektë të rinj durrsakë Hysen Çifligu e Lisiena Shazivari, kanë sjellë një projekt shumë ambicioz për rivitalizimin e tregut bizantin dhe Termet Publike, në Durrës. Projekti është fitues i çmimit të dytë në konkursin kombëtar “Arkitektët e rinj për zhvillimin urban”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Shoqata e Arkitekteve te Shqipërisë, Maj 2015. Ky projekt është paraqitur në një stendë të veçantë në ekspozitën “Ndryshe” duke sjellë edhe debate në rrethin e specialistëve.
Çifligu bëri publik projektin i cili konsiston në krijimin e një lëvizje të rrjedhshme dhe të pandërprerë, si në vetvete por dhe në lidhje me itinerarin logjik për turizmin historiko-kulturor. Duke i udhëzuar turistët të vazhdojnë vizitën e radhës në mënyrë intuitive e kronologjike .
Ndërtimi i një strukture të lehtësuar e cila përbehet nga tri elemente kyçe: rampa këmbësore, pavilioni i ekspozitës “Termet publike”, pavilioni i ekspozitës “Forumi bizantin”.
Ndërhyrja konsiston në ndërtimin e rampës përgjatë sitit arkeologjik;krijimi i një tuneli lidhës pavilion ekspozitues duke mundësuar unifikimin e dy siteve arkeologjik; pavilioni përbri kolonadave pa prishur kontekstin ekzistues. Siç shihet ndërhyrja është tërësisht e mundshme dhe pa vështirësi teknike në realizim.
Rampa këmbësore, një trajektore lëvizëse e cila është si një udhëtim në kohë duke i ofruar banorëve dhe turistëve një mundësi për të përjetuar më nga afër historinë e Qytetit të Durrësit. Ky udhëtim në kohë paraqitet me ulje dhe ngritje të cilat përfaqësohen në mënyrë simbolike nga rampa këmbësore. Pra, përdorimi i kësaj rampe në mënyrë delikate dhe pa ndërhyrje të rrezikshme për këto trashëgimi historike do të përbëjë një risi në nivelin e ndërhyrjeve rivitalizuese të siteve arkeologjike në Shqipëri.
Elementi tjetër përbërës I kësaj ndërhyrjeje është pavilioni i ekspozitës “Termet publike”, një hapësirë për të ekspozuar dhe për të treguar më hollësishëm historinë, ngjarjet dhe rëndësinë e termeve publike të cilat u zbuluan pothuajse tërësisht në vitin 1960 . Nga madhësia dhe ambientet e brendshme këto terme kanë qenë pjesë e gjimnazit të qytetit.
Sheshi i tregut bizantin i cili është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik. Ai zinte një pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine. Ndërtimi i një pavilioni për ekspozime të ndryshme të cilat lidhen me periudhën bizantine.
Materialet e përdorura si dru, gur dhe çelik inoks janë përdorur në një mënyrë që të mos dëmtojnë peizazhin historik dhe mos të krijojë konfuzion të gjuhës arkitektonike. Një kusht shumë i rëndësishëm i cili plotësohet në kushte optimale është aksesi për personat me aftësi të kufizuar, rampa ka një pjerrësi prej 6% pjerrësi e cila është optimale për lëvizje të pavarur dhe pa asistencë nga një person tjetër.
Ndërtesat e orientuara nga sheshi reflektojnë tendencën e të ndërtuarit sipas rrymës racionaliste italiane të kohës.
Qyteti historik i Durrësit kryesisht përmendet për dy periudha të rëndësishme arkitektonike: antike dhe influenca italiane e shek. XX. Fatkeqësisht trashëgimia nga periudha e antikitetit është kryesisht e fundosur nën qytetin e ri. Ndërsa nga influenca e arkitekturës italiane ka akoma gjurmë të mbetura.
Qyteti po i nënshtrohet një rigjenerimi tërësor, i cili sjell ndryshime në rritjen e vlerave dhe jetës së qytetit si për banorët ashtu edhe për turistët që vizitojnë qytetin e Durrësit.
Këto ndryshime konsistojnë në riformulimin e qendrës së qytetit duke i ofruar akoma dhe më shumë karakterin e një sheshi publik; restaurimi i fasadës së objekteve, arkitektura e së cilave është influencuar nga arkitektura italiane e asaj kohe.
Forumi rrethor – Macellum (SHESH TREGU BIZANTIN)
Shesh-tregu i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik. Ai zinte pozicion qendror në raport me ndërtimet e mëdha publike e fetare të periudhës bizantine. Paraqitja arkitekturore e tij dëshmon funksionin e një shesh-tregu të hapur, rrethor me portik. Në qendër të shesh-tregut ka një podium me një bazament tetëkëndor me gjurmë shkallësh dhe një pus, mbi një shtroje pllakash mermeri (disa prej të cilave kanë mbishkrime dhe monograme) që mbulojnë dyshemenë deri pranë kolonadës me një perimetër 40m. Menjëherë pas korridorit kolonadë gjendet një seri ambientesh me shpërndarje radiale e funksione prodhuese (edhe e tipit artizanat metalurgjik). Teknika e ndërtimit, materiali i përdorur dhe shtresa kulturore e datojnë këtë monument si bashkëkohës të ndërtimeve publike të perandorëve Anastas e Justinian në fillim të shek. VI e.r. Në pjesën e zonës publike ndërtesa është e realizuar me mermer grek nga Prokoneso. Ky mermer i importuar në Dyrachion kërkon një përpjekje ekonomike të jashtëzakonshme që vetëm një perandor mund ta realizonte (Anastasi I ose Justiniani).
Termet publike
Termet publike të periudhës Romake u ndërtuan në vitet e para të shekullit II pas Kr. dhe ndodhen në qendër (poshtë pallatit “Aleksandër Moisiu”) u zbuluan pothuajse plotësisht në vitin 1960. Nga madhësia dhe ambientet e brendshme këto terme kanë qenë pjesë e gjimnazit të qytetit. Në to ruhen harqet e furrës, muret, dhe dyshemetë e ambienteve. Në fillim është dhoma e apodyteriumit (dhoma e zhveshjes) që pasohet nga tepidariumi (dhoma e djersitjes) e cila ka nën dysheme tulla hipokauste për kalimin e avullit të nxehtë. Në vazhdim në drejtim jugor është frigidariumi (dhoma me ujë të ftohtë) dhe në fund pishina. Shtrimi i dyshemesë është me pllaka mermeri, bardh e zi, në formë fushe shahu. Në jugperëndim të Termeve, ndodhet kompleksi i kanaleve shkarkuese dhe mbi të rruga kryesore e periudhës romake me drejtim verior (Rruga “Aleksandër Goga”) .
K.H.





