“E ndava në gjykatë se luante bixhoz, më plagosi”
Flet Suzana Elezi: Tri herë e denoncova për dhunën, por e lanë të lirë e më rrahu
TIRANE, 2 maj 2013- Nëna e tre fëmijëve, e cila u dhunua nga ish-bashkëshorti që e kafshoi në fytyrë për motive xhelozie, tregon se problemet e vërteta me ish-bashkëshortin filluan pas divorcimit me të në gjykatë. E dëmtuara thotë se ka kërkuar disa herë urdhër mbrojtje në gjykatë, por i shoqi e kishte shkelur radhazi duke e dhunuar sërish. Suzana Elezi prej 17 vitesh punon në një dyqan me aksesorë varresh në hyrje të Sharrës. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, 45-vjeçarja u shpreh se e ka denoncuar ish-bashkëshortin disa herë në Policinë e Tiranës, por ai sillej i lirë dhe e dhunonte sërish. Gruaja shpjegon se divorcin e ka kërkuar për shkak se ai luante bixhoz dhe kishte humbur të gjitha pasuritë. Për këtë arsye ishte bërë i dhunshëm. Sipas saj, xhelozia e tij filloi pas divorcit në vitin 2009, pasi dyshonte se ajo e tradhtonte me klientët. “Herën e fundit që theu urdhrin e mbrojtjes që më kishte caktuar Gjykata e Tiranës, më ka dhunuar mbi varre. Më kapi për flokësh, më kafshoi te qafa, te buza. “Ta tregoj unë motelin ty. Ti për të tjerët je, për mua nuk je”, më thoshte. Ishte thjesht fiksim i tij”, u shpreh dje Suzana Elezi. Ndërsa kërkoi që këtë herë të vendosej drejtësi dhe i shoqi të mos falej për këtë që i bëri. Madje, sipas saj, ai edhe mund ta vrasë. Për këtë arsye kjo ngjarje mund të parandalohet vetëm në rast se ai dënohet nga gjykata.
Sa vite martese ke me Nuredin Vladin?
Me gjithë divorcin i bie të kem 22 vite. Por 19 vite kemi ndenjur bashkë si çift bashkëshortësh. Kemi 3 vjet që jemi divorcuar, në vitin 2009. Divorci zgjati gati 9 muaj për shkak të procedurave në gjykatë.
Ish-burri juaj ka qenë gjithmonë i dhunshëm?
Thuajse gjithmonë. Vetëm vitet e para të martesës ecën mirë, më vonë vetëm dhunë, ofendime, kërcënime.
Pse vendosët të divorcoheshit?
Po ai filloi të dhunonte edhe fëmijët. Dhunën ndaj meje e kisha duruar, por në momentin që filloi të vinte dorë edhe mbi fëmijët, nuk e durova dot më.
Pse ushtronte dhunë, pinte, apo ishte xheloz?
Jo, nuk pinte, por filloi të luante bixhoz. Kur lunte shuma të mëdha bëhej nervoz, i dhunshëm, nuk pyeste më kush i dilte përpara. Edhe djalin e madh e ka dhunuar. Kur ngriti dorë edhe ndaj vajzës, unë nuk e durova më dhe nisa procedurat e divorcit. Sepse fëmijët filluan të më vinin kushte, që të mbaja ose ata ose burrin. Nuk e duronin më.
Po problemi i xhelozisë kur nisi?
Pas ndarjes filloi të bëhej xheloz. Gjatë martesës nuk ka qenë ndonjëherë. Ishte i dhunshëm sepse luante bixhoz. La gjithçka në bixhoz, pronat që kishte në kombinat, kursimet tona, paratë që fitonim me dyqanin, madje edhe shtëpinë që jetojmë tani. Më është dashur të marr kredi që të mbaja shtëpinë dhe të mos na e merrnin borxhlinjtë. Duhet të paguaj edhe 18 mijë euro kredi. Tri herë i jam drejtuar për ndarje gjykatës dhe jam tërhequr sepse vinte më lutej, më premtonte që do të ndryshonte dhe unë e falja. Shkoja te njerëzit e mi, vinte edhe atje, u premtonte edhe atyre që do të ndryshonte. Sa rrinim nja dy muaj pa sherre, prapë fillonte me të vetat. Ka qenë shumë i dhunshëm. Edhe atëherë kam bërë denoncime dhe i kam raportet e Mjekësisë Ligjore, sepse atëherë nuk i jepnin shumë rëndësi dhunës ndaj gruas dhe kot sa bëja denoncime. Kam shkuar disa herë te Spitali Ushtarak, te “Nënë Tereza”, ku kam marrë mjekim nga plagët që më shkaktonte ai.
A mund të na tregoni episodin e parë të dhunës, kur edhe keni kërkuar urdhër mbrojtje?
Episodet e dhunës kanë qenë të vazhdueshme, por pas divorcit u bënë edhe më të rënda. Që pas divorcit ai më sulmoi rëndë një ditë dhe më çau dorën me një nga ato veglat që përdorim për punimin e varrave. Unë e denoncova te Komisariati 6 për këtë rast, madje edhe u dënua nga Gjykata e Tiranës. E dënoi gjyqtarja Fatmira Hajdari me 18 muaj burg. Por unë e fala kur shkoi çështja në Apel, se më premtoi që nuk do bënte më veprime të tilla. Po edhe kisha turp nga fqinjët, sepse ishte edhe mentaliteti i tillë. Veç të tjerash, ai edhe më kërcënonte. “Po kur të dal nga burgu, ku do shkosh?”, më thoshte. Para kësaj ai pati bërë edhe 3 muaj burg për armëmbajtje pa leje. Ligji parashikonte 3 vjet ose 5 për këtë vepër penale, po ai doli me korrupsion, se ndryshe nuk kishte si të dilte. Mua më thoshte: “Unë dola se kisha armë pa leje, për këtë që më bën ti prapë do të dal. Ku do shkosh ti pastaj?”.
Ky ishte episodi i parë që ju e keni falur, po tjetri?
Po sa u lirua nga burgu, vetëm 2 muaj qëndroi i qetë. Pastaj filloi prapë. Ne jetonim në të njëjtën shtëpi, edhe pse ishim të divorcuar dhe ai bënte ato presionet, kërcënimet e ofendimet e tij. Kërkova urdhër-mbrojtje dhe m’u dha. Pastaj kam qëndruar 2 vjet pa urdhër-mbrojtje, por nuk bënte gjëra shumë të dhunshme se kishte filluar të kishte frikë. Rrinim në të njëjtën shtëpi nga halli. Kuzhinën e kishim të përbashkët, vetëm dhomat i kishim të ndara. Me mua vazhdonte me kërcënime e sharje, por me fëmijët nuk u mor më.
Po ngjarja e fundit, për të cilën vazhdonit të ishit në mbrojtje edhe tani, mund të na tregoni si ka ndodhur?
Momenti i fundit ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar. Edhe pse ai e mohon, se normalisht do të mbrohet, mua më ka dhunuar më shumë se në asnjë rast tjetër. Unë isha në dyqanin që kemi këtu, te oborri i shtëpisë, dhe po flisja në telefon me një klient që po më porosiste të bëja një varr. Sepse unë i marr të gjitha porositë nga klientët, ngaqë edhe licencën e dyqanit e kam në emrin tim. Kam 17 vjet që e ushtroj këtë aktivitet. Ai erdhi te dyqani dhe kur më pa që po flisja në telefon m’u vërsul dhe më kapi nga shalli, sepse ishte xheloz. Për këtë arsye ai më kontrollonte ngado që shkoja, sepse ishte shumë xheloz. Ma shtrëngoi aq fort shallin rreth qafës, sa thashë se do të më mbyste dhe më tërhoqi zvarrë nga dyqani, më nxori në rrugë. Të gjithë më panë dhe askush nuk afrohej që të më shpëtonte nga duart e tij. Ngaqë nuk po merrja dot frymë, kam rrëmbyer një vazo nga këto të dyqanit dhe e kam goditur në kokë. Vetëm në atë moment më lëshoi. Shkova në Polici dhe deklarova çfarë më kishte bërë. Shkova te Mjekësia Ligjore që më kontrolluan plagën, më bënë ekspertizën e shtrëngimit në qafë. Më kishte dëmtuar edhe kordat e zërit. Pas kësaj mora urdhër-mbrojtje që përfundon në nëntor të këtij viti.
Këtë urdhër e respektoi deri në ngjarjen e fundit për të cilën u arrestua?
Jo, nuk e ka respektuar. Para disa muajsh ka qenë një rast tjetër edhe më i rëndë se ky i fundit. Deshi të më mbyste me duar në fyt. Më shtrëngoi aq fort, sa thashë se do vdisja dhe u dorëzova. Por më lëshoi dhe deshi të më shqyente gojën, duke më tërhequr me duar në dy anët e saj, aq sa filloi të më rridhte gjak. Ashtu e gjakosur shkova te Komisariati 6 dhe policët roje nuk më përgjigjeshin se po pinin kafe, më lanë gjysmë ore duke pritur te sporteli. Bëra denoncimin dhe mendova se e arrestuan, sepse e mbajtën 72 orë në Drejtorinë e Policisë, por e liruan prapë pa e çuar në gjykatë, pa asgjë. Doli pa më marrë mua në pyetje fare. Pse doli? Pastaj iu drejtova Shoqatës për Mbrojtjen e Gruas, desha t’i drejtohesha edhe medias, por nuk më lanë fëmijët. Sepse i kam të rritur tashmë. Vajzën e kam në Universitet në Durrës, djalin në vit të fundit te “Harry Fultz”, djalin tjetër në shkollë 8-vjeçare në Kombinat. U turpëruan edhe fëmijët.
Po pas këtij rasti?
Vazhdonte si përherë. Erdhi në shtëpi dhe donte të më fliste, të pajtoheshim, po unë nuk doja më, nuk pranoja sepse nuk ia falja dot të gjitha ato që më kishte bërë. Ai nuk e duroi dot këtë ftohtësinë e indiferencën time dhe ndodhi kjo ngjarja e fundit.
Si ndodhi ngjarja e fundit?
Atë ditë unë po shkoja te Varrezat e Sharrës sepse do të pastroja një varr. Ai më kishte ndjekur nga pas sepse dyshonte se po e tradhtoja. E ku ta tradhtoja unë, me të vdekurit, në varreza? Po aq ia priste atij. Mbi varre më ka dhunuar. Më kapi për flokësh, më kafshoi te qafa, te buza. “Ta tregoj unë motelin ty. Ti për të tjerët je, për mua nuk je”. Kështu më tha copë. Se çfarë moteli kishte në varreza, hajde shpjegoja atij, se nuk merrte vesh. Ishte thjesht fiksim i tij. Unë në varreza punoj, pastroj varret, ushqej fëmijët. Kam 10 klientë të rregullt që ua pastroj varret e të afërmve, që nga gjyqtarë të njohur e punonjës të Bashkisë së Tiranës që më paguajnë për t’ua mbajtur të pastër varret e të afërmve. Ndërsa ai mendonte se unë e tradhtoja nëpër varre.
Si arritët të largoheshit atë ditë?
I shpëtova nga duart dhe ika me vrap. Rrugës kur largohesha mora 129-n dhe denoncova ngjarjen. Pastaj erdhi policia dhe e arrestoi. Unë ndërkohë shkova të merrja mjekim në Spitalin Ushtarak. Fillimisht më çuan te Mjekësia Ligjore për raportin dhe pastaj shkova prapë te Spitali Ushtarak. Tani shpresoj që drejtësia të vendosë drejtësi njëherë e mirë dhe të mos korruptohet më nga ai. Ai edhe mund të më vrasë një ditë, dhe çfarë do thotë drejtësia pastaj?
/Panorama/





