Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka përfunduar dëshminë e tij para prokurorëve Elio Mazreku dhe Elisabeta Imeraj, kjo e fundit drejtuese e Prokurorisë së kryeqytetit.

Përreth tri orë, Bardhi ka dhënë shpjegime për gjithçka ka ndodhur brenda PD-së teksa mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha sulmonin selinë e PD-së.

Ka vijuar bashkëpunimi ynë me prokurorinë, që nga momenti i parë. Sot jam përgjigjur dhe kam dhënë përgjigje për çdo çështje të kërkuar nga prokuroria, duke nisur me momentin kur protestuesit mësyjnë PD, kontaktet që kam pasur me policinë dhe cfarë ka ndodhur në katin e dytë të selisë së PD. Kam kërkuar dhe vijoj të kërkoj zbardhjen e plotë të çështjes dhe vënien para drejtësisë të autorëve. Një grusht njerëzish me në krye Sali Berishën sulmuan selinë e tyre. Autorët as nuk fshihen, as nuk skuqen, as nuk zverdhen. Sali Berisha ka marrë përgjegjësinë e një akti të dhunshëm ndaj PD. Pres nga prokuroria pa asnjë hezitim të vendosë para përgjegjësisë penale autorët e atij krimi të paprecedentë”, tha Bardhi jashtë prokurorisë.

Bardhi është proceduar penalisht nga prokuroria për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse dhe radioaktive” dhe “Stërvitja për prodhimin dhe përdorimin e paligjshëm të armëve e lëndëve të tjera të rrezikshme”.

Nëse Prokuroria e Tiranës konstaton që deputetët kanë përgjegjësi penale për cilëndo vepër janë të detyruar të konstatojnë moskompetencën dhe t’ia kalojnë çështjen SPAK.

Po kështu Kryedemokrati Basha është thirrur të dëshmojë sot në prokurori, si person që ka dijeni për atë çka ka ndodhur brenda selisë së PD-së më 8 janar.