Qyteti bregdetar i Durrësit kohët e fundit po vuan së tepërmi trafikun që shkaktohet në qytet. Shkak për këtë është bërë një investim i bashkisë për ndërtimin e një rreth-rrotullimi në hyrje të qytetit. Bashkia me idenë se ndërtimi i këtij rreth-rrotullimi do të zgjidhte problemin historik të trafikut e ka shtuar akoma edhe më shumë atë. Me rrethrrotullimin e ndërtuar pothuajse është zënë e gjithë hapësira e rrugës, madje këto të fundit janë ngushtuar. Në këtë aks përpara se të ndërtohej ky rreth-rrotullim ishte një rrugë me tre korsi në një krah dhe tre në krahun tjetër dhe automjetet lëviznin lirshëm, pasi nuk pengoheshin në asnjë vend, vetëm në disa raste kur efektivi i qarkullimit rrugor jepte sinjalin për t’i dhënë përparësi njërit apo tjetrit. Ndërsa  tani jo vetëm që të gjitha mjetet do të ndalojnë përpara se të mbërrijnë tek rreth-rrotullimi, por një amulli e vërtetë krijohet, e automjetet bllokohen për minuta të tëra.  Në këtë mënyrë dhjetëra drejtues mjetesh shfryjnë, ngrenë zërin madje në shumë raste janë konfrontuar edhe me njëri-tjetrin.

Drejtuesit e mjeteve dhe në veçanti ata të autobuzave shprehen se rreth-rrotullimi ka krijuar një situatë mjaft të vështirë përsa i përket trafikut dhe lëvizjes së lirë të mjeteve. “Me këtë gjënë që kanë bërë këtu në mes të rrugës, është bërë një katrahurë e vërtetë, ku nuk e merr vesh i pari të dytin. Kjo është jashtë llogjike që ngjitur me vendin e parkimit të autobuzave të bëhet rreth-rrotullimi. Nuk e keni idenë se sa të vështirë e kemi ne që të marrim kthesën për të parkuar autobuzin”,- deklaron Kasem Mançe, shofer. Të njëjtin mendim me drejtuesit e mjeteve shpreh edhe ish urbanisti i bashkisë së Durrësit, Petraq Kote. I pyetur nga gazeta “Dyrrah” ai është shprehur se ideja për ndërtimin e  rreth-rrotullimit në hyrje të qytetit nuk është një ide e mirë. “Nuk mendoj se ndërtimi i rreth-rrotullimit do të zgjidhte përfundimisht problemin e madh që ka qyteti i Durrësit me trafikun. Në radhë të parë për mua rreth-rrotullimi nuk ishte i nevojshëm që të ndërtohej. Aty mblidhen të gjitha rrugët e qytetit dhe detyrimisht do të krijohet një situatë aspak e këndshme për trafikun.

Por kush do të ishte zgjidhja?

Zgjidhja do të ishte që në disa prej rrugëve të qytetit të ishin një kalimshme, edhe tek stacioni i trenit ku është ndërtuar rreth-rrotullimi. Jo si urbanist, por si një qytetar si gjithë të tjerët them se aty është i domosdoshëm vendosja e dy apo tre efektiveve të policisë rrugore për të normalizuar situatën, them normalizojnë por edhe ata e vështirësojnë më tepër. Ndërtimi i rreth-rrotullimit është i pa studiuar mirë nga arkitektët, urbanistët dhe drejtuesit e policisë rrugore. Rreth-rrotullimi ka një diametër prej rreth, 14-15 metrash, gjë kjo e panevojshme. Për mendimin tim edhe nëse kishin një dëshirë tepër të madhe për të ndërtuar këtë rreth-rrotullim le ta ndërtonin me përmasa më të vogla”,- deklaron për Gazetën “Dyrrah” Kote.