Udhëheqësi i të djathtës ekstreme në Holandë, Geert Wilders, rrëzoi sot koalicionin qeverisës duke tërhequr partinë e tij PVV për shkak të mosmarrëveshjeve të saj mbi politikën e migracionit, duke hapur rrugën për zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Wilders, i cili doli fitues në zgjedhjet e nëntorit 2023 dhe udhëheq partinë më të madhe në parlament, kishte paralajmëruar që në fund të majit se do të shkaktonte rënien e qeverisë nëse nuk zbatohej brenda disa javësh plani i tij dhjetë pikësh për kufizimin e imigracionit.
“Nuk kishte asnjë nënshkrim në planin tonë të azilit (…) PVV po largohet nga koalicioni”, shkroi Wilders në X, duke iu referuar planeve të partisë së tij për të shtrënguar politikën e saj ndaj migrantëve dhe azilkërkuesve.
Plani i Wilders përfshinte mbylljen e kufijve për azilkërkuesit, ndalimin e bashkimit familjar për refugjatët e njohur, mbylljen e qendrave të azilit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe dëbimin e shtetasve me nënshtetësi të dyfishtë që janë dënuar për vepra penale.
Megjithatë, një numër ekspertësh politikë dhe ligjorë e cilësuan këtë plan si të pazbatueshëm dhe të paligjshëm, ndërsa disa vlerësuan se Wilders e kishte krijuar vetë krizën me qëllim rrëzimin e qeverisë dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.
Largimi i PVV-së nga koalicioni hap një periudhë të re pasigurie politike për ekonominë e pestë më të madhe të BE-së dhe ka të ngjarë të çojë në zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Holanda do të ketë gjithashtu një qeveri të përkohshme kur të presë
samitin e NATO-s gjatë këtij muaji.
Tetëmbëdhjetë muaj pas fitores së tij surprizë zgjedhore që tronditi Evropën dhe botën, sondazhet e opinionit tregojnë se Partia për Liri e Wilders mbetet më e popullarizuara.
Por hendeku i saj me aleancën Laburiste-Të Gjelbër nën drejtimin e ish-nënkryetarit të Komisionit Evropian, Frans Timmermans, është ngushtuar.
Në të njëjtën kohë, VVD liberale, një forcë tradicionale e fuqishme në politikën holandeze, mbetet lart në listë.