9 tetor 2015 – Çmimet e lëngjeve dhe ujit mineral të paketuar kanë pësuar një rritje të pazakontë gjysmën e dytë të këtij viti. Pas rënies sistematike dy vitet e fundit, çmimet e pijeve të buta dhe ujit janë shtrenjtuar. Sipas të dhënave të INSTAT-it, çmimet e produkteve në fjalë u rritën me 2.7 % në shtator nga një rënie më shumë se 2 % vitin e kaluar.

Nga vëzhgimet e mëparshme që ka bërë “Monitor”, është vënë re rritje e çmimeve me më shumë se 10 lekë në paketimet e ujit dhe të lëngjeve në pikat e shitjes me pakicë.

Tregtarët kanë pohuar se çmimet janë rritur nga grosistët gjatë muajve të verës. Ndodh që konsumi i këtyre artikujve të rritet në muajt e verës nga shtimi i kërkesës. Po këtë vit tregtarët kanë pohuar se shtrenjtimi ka qenë më i lartë, ka përfshirë shumë artikuj dhe është shtrirë edhe përtej sezonit turistik.

Sipas “Monitor”-it, rritja e çmimeve ka nisur të gjallërohet në muajin shtator, pavarësisht se nuk po nxitet nga konsumi i cili vijon të jetë më anemik. Tregjet kanë reaguar ndaj aksionit antiinfomalitet duke e faturuar formalizimin dhe gjobat në çmime. Formalizmi ka diktuar çmime më të larta për disa njësi shërbimesh dhe mallrash që nuk kishin paguar detyrimet tatimore më parë.

/portali DurresLajm/