Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kanë njoftuar se nga e mërkura, 15 prill, do të reduktojnë me 40 % mjetet e shërbimit të transportit publik, pas rritjes së çmimit të naftës.
Në një njoftim zyrtar, operatorët e transportit publik deklarojnë se prej javësh kanë ngritur shqetësime lidhur me rritjen e kostove të karburantit, por nuk është marrë ende asnjë masë konkrete nga qeveria.
Ata theksojnë se nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi, nuk ka plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare dhe nuk janë vendosur afate për ndërhyrje institucionale. Po ashtu, shoqatat shtojnë se nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e taksave dhe detyrimeve fiskale që ndikojnë në kostot operative, si akciza, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja.
“Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.”, thuhet në reagim.
Operatorët u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe i këshillojnë të planifikojnë më herët udhëtimet, ndërsa theksojnë se mbeten të hapur për dialog dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet.
“U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.“, shtojnë ata.
Kujtojmë që, Bordi i Transparencës, me vendimin e marrë sot, rriti me 6 lekë çmimin e naftës, nga 209 që ishte në 215 lekë për litër. Po ashtu, edhe benzina ka pësuar një rritje me 3 lekë, nga 175 në 178 lekë për litër.
Njoftimi i plotë:
Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban informojnë qytetarët se, pavarësisht problematikës së ngritur prej javësh dhe takimit të zhvilluar më datë 01.04.2026 me institucionet përgjegjëse, deri në këtë moment nuk është marrë asnjë masë konkrete mbështetëse për sektorin e transportit publik. Kështu konstatojmë se:
a) Nuk është miratuar asnjë skemë kompensimi për rritjen e çmimit të karburantit, pavarësisht kërkesës së përsëritur të operatorëve;
b) Nuk ka një vendim zyrtar apo plan veprimi për lehtësimin e barrës financiare të sektorit;
c) Nuk është dhënë asnjë afat konkret për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse;
d) Nuk ka nisur asnjë proces për rishikimin e elementeve fiskale që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot operative (akcizë, taksë qarkullimi, TVSH).
Kjo mungesë reagimi dhe veprimi konkret ka përkeqësuar ndjeshëm situatën financiare të operatorëve, të cilët ndodhen tashmë në kushte tejet të vështira për të përballuar vazhdimin e aktivitetit. Për pasojë, ju bëjmë me dije se, duke filluar nga nesër do të reduktojmë numrin e mjeteve në qarkullim duke e ulur me 40% flotën në shërbimin e transportit publik, si një masë e detyruar për përballimin e kësaj situate emergjente.
U bëjmë thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe të parashikojnë kohën e udhëtimit, duke theksuar se kjo situatë nuk vjen si rezultat i vullnetit të operatorëve, por si pasojë direkte e mungesës së ndërhyrjes institucionale në kohë.
Shoqatat mbeten të hapura për dialog dhe bashkëpunim, por theksojnë nevojën për ndërhyrje të menjëhershme dhe efektive.





