Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ka bërë me dije këtë të enjte se do përfitojnë rritje pagash punonjësit në 3 sektorë të rëndësishëm.

Çuçi tha pas mbledhjes së qeverisë se do të rritet me 14% paga për të gjitha nivelet në sistemin e zjarrëfikësve, një rritje sipas gradave te punonjësit e Gardës së Republikës dhe një rritje që varion nga 7 deri në 25% për punonjësit e policisë.

Në total sipas ministrit deri në vitin e ardhshëm, tre sistemet do pësojnë një rritje prej 40% të nivelit të pagës.

“Sot qeveria mori vendim për rritjen  e pagave dhe për gjithë sistemin e zjarrfikësve, punonjësit e Gardës. Si rezultat i dy rritjeve në sektorin e zjarrfikësve, paga shkon rreth 14% rritja për gjithë nivelet. Sa i takon Gardës ka një rritje sipas gradave, ku më e ulëta përfiton deri në 22% rritje. Sistemi i policisë një rritje nga 7% për nivelet e larta deri në 25% për inspektor. Do kemi një rritje tjetër për këto 3 sektorë të rëndësishëm, që nga Tetori i vitit të kaluar dhe deri në 2024-ën do rritet deri në 40% për të gjithë sistemet. Është një nga rritjet më të mëdha që kanë pasur këto 3 sektorë që shërbejnë për mbarëvajtjen e sigurisë publike. Mendojmë se modernizimi i Policisë së Shtetit po ecën me nivele të shpejta dhe besoj se do kapim standardet europiane në një kohë shumë të shkurtër”, u shpreh Çuçi.

Rritje pagash njoftoi edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja për të gjithë punonjësit e burgjeve.

“Nga kjo mbledhje e qeverisë ka lajme të mira edhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve dhe ata të sistemit shëndetësor në Drejtorinë e Burgjeve. Do të ketë një rritje të konsiderueshme edhe për punonjësit e Policisë së Burgjeve, duke u barazuar përfundimisht për të gjitha efektet me punonjësit e Policisë së Shtetit. Duke filluar që tek gradat e rolit bazë, të mesme, por edhe të gradave të larta në Policinë e Burgjeve. Është një rritje page që siç e thanë edhe kolegët e mi është në dy faza. Rritja e menjëhershme do t’i shtrijë efektet financiare nga data 1 Prill dhe rritja tjetër do të jetë në vitin 2024. Po ashtu edhe për punonjësit e sistemit shëndetësor në burgje. Trajtimi i personit mjek e infermier, do të pësojnë rrije pagash drastike njësoj si punonjësit e tjerë të sistemit shëndetësor në ato bashki ku ata ushtrojnë funksionet”, tha Manja.