Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën malore të Librazhdit ku kushtet atmosferike kanë qenë tepër ekstreme. Sipas informacioneve të siguruara nga banorë dhe barinj të zonës, gjatë stuhisë janë regjistruar dhjetëra goditje rrufesh në Parkun Kombëtar të Shebenikut, në Malësinë e Sopotit, Polisit, Xhyrës, Dardhës dhe Spatharit, duke krijuar momente paniku dhe frike për banorët që ndodheshin në kullota dhe zona të hapura.

Ngjarja më dramatike ka ndodhur në fshatin Spathar në Njësinë Administrative Qendër, në vendin e njohur si “Arrës”, ku një tufë dhish është goditur nga rrufeja. Si pasojë e shkarkesës së fuqishme elektrike, të gjitha bagëtitë kanë ngordhur në vend, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm ekonomik familjes së bariut.

Burime nga zona bëjnë me dije se në momentin e goditjes pranë tufës ndodhej edhe bariu S. Kurti. Për fat të mirë, ai ka arritur t’i mbijetojë shkarkesës elektrike, megjithëse është gjetur disa orë më vonë nga të afërmit në gjendje të rënduar psikologjike dhe shoku. Pas ndihmës së marrë, mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Banorët e zonës e përshkruajnë stuhinë si një nga më të fuqishmet e viteve të fundit, ndërsa rrufetë kanë qenë të vazhdueshme për disa orë, duke rrezikuar jo vetëm bagëtitë, por edhe jetën e njerëzve që ndodheshin në kullotat malore.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme po kryhen procedurat për groposjen e tufës së bagëtive të ngordhura, me qëllim shmangien e problemeve sanitare dhe mbrojtjen e mjedisit. Autoritetet lokale dhe veterinarët janë angazhuar për ndjekjen e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fenomenet atmosferike. Ngjarja ka tronditur komunitetin e zonës, ndërsa rikthen në vëmendje që duhet treguar nga njerëzit për rrezikun e madh që paraqesin stuhitë e forta dhe shkarkesat elektrike në zonat malore, veçanërisht gjatë sezonit veror kur shumë barinj dhe bagëti qëndrojnë për periudha të gjata në kullota të hapura.