· REPORTAZH NGA “IL QUOTIDIANO ITALIANO” /Ja ç’hoqën 1 800 pasagjerë dhe 500 makina në rrugën e parë të tragetit të GNV-së “Snav Lazio”, që zëvendësoi për 8 ditë “Rhapsody”-në, shkak problemet teknike nautike të pazgjidhura

12 gusht 2015 –  “Autoriteti Portual i Barit është i papërgatitur në përballimin e lëvizjeve në verë drejt vendeve kufitare, veçanërisht drejt Shqipërisë, të pushtuara nga italianët për pushime  lou-kost”. Në numrin e 11 gushtit 2015 media vendore e Barit “Il Quotidiano Italiano” botoi një reportazh të Nicola Banti-t për gjendjen e rëndë në portin italian të Barit në pikun e sezonit të lartë të udhëtimeve me tragete. Artikulli flet dhe për aventurën e kompanisë së famshme GNV në portin e Barit me rastin e përurimit të rejsit të parë Bari-Durrës-Bari, teksa Autoriteti Portual i Barit kishte bërë reklamë të bujshme, por që nuk ishte përgatitur për të. Autori përshkruan gjendjen e rëndë në lehtësitë portuale, deri dhe në mungesën e banjave publike, ndihmës së shpejtë, tendave dhe strehëve, si dhe për vuajtjet e udhëtarëve nën temperaturat mbi 40 gradë. “Dyrrah”-u po boton një përmbledhje të gjerë të shkrimit. Nëntitujt janë të “Dyrrah”-ut.

DISNIVELI ME BANKINËN

Me gjithë fjalët e bukura të presidentit Francesco Mariani, edhe këtë verë Autoriteti Portual i Barit është i papërgatitur në përballimin e lëvizjeve në verë drejt vendeve kufitare, veçanërisht drejt Shqipërisë, të pushtuara nga italianët për pushime  lou-kost (low-cost). Dita e mirë shihet në mëngjes, tashmë në fund të korrikut, në rastin kur hyri për herë të parë kompania e re “Grandi Navi Veloci”.

Pavarësisht reklamës së bujshme [il battage pubblicitario] të Autoritetit Portual lidhur me ardhjen e tragetit “Rhapsody” të GNV-së, për shkak të problemeve teknike nautike të pazgjidhura [problemi tecnico nautici non risolti], kompania u detyrua të dërgojë në linjën Bari-Durrës tragetin “Snav Lazio” (shumë më poshtë pritshmërive krahasuar me “Rapsody”-në). Në fund të korrikut, trageti “Snav Lazio”, me të mbërritur në port, u destinua në bankinën nr. 3 të Molo San Vito (e vetmja bankinë e përdorshme), por e gjithë kjo pa marrë masat e nevojshme teknike. Me t’u ankoruar, në fakt, nuk arriti të ulte derën e pasme për shkak të disnivelit me bankinën.

VONESAT E TMERRSHME

Autoriteti Portual nuk ishte në gjendje të përgatiste bankinën para se trageti të mbërrinte në port. Në një konfuzion total iu kërkua me shkrim agjencisë detare “Portrans”, në se kishte mundësi të jepte hua lehtësitë në pronësi të saj për të lejuar imbarkimin e mjeteve në tragete. “Portrans”-i, gjithmonë me shkrim, tha se nuk lejonte të përdoreshin. Atëherë situata emergjente e krijuar nga Autoriteti Portual, për shkak të mungesës së planifikimit, ka shkaktuar vonesa të tmerrshme dhe shqetësime mes pasagjerëve, jo vetëm të GNV-së, por edhe të të gjitha kompanive të tjera që nisen nga Molo San Vito.

Nisja e tragetit të GNV-së “Snav Lazio” ishte planifikuar në orën 23:00, më 31 korrik, por u shty në orën 03:40 të 1 gushtit. Për pasojë, ditën tjetër trageti u kthye në Bari në orën 24, në vend të orës 23.00 siç ishte planifikuar, dhe pastaj për t’u rinisur të nesërmen në mëngjes rreth orës 5.00, me të gjitha peripecitë, që kaluan 1 800 pasagjerë dhe 500 makina në bord. Problematika u përsërit dhe në dy udhëtime pasuese. Po ashtu, hoqën të zezat e ullirit udhëtarët në zonën e Marisabella-s, një vend i shkretë, nën diellin përvëlues, me temperatura mbi 40 gradë, vetëm me një tendë për mbulimin e bokseve të agjencive detare dhe absolutisht pa shërbime të kualifikuara për pasagjerë dhe pa strehë për makinat.

SOVRANI “KAOS”

Atje, në atë zonë, sovran ka qenë kaosi. Të gjithë u suleshin pikave të pijeve freskuese, që ishin të pamjaftueshme. Pa llogaritur banjat e pakta në numër, më shumë se të pista dhe jofunksionale, me radhë të gjata. Ka pasur dhjetëra ankesa nga pasagjerët. Për të mos folur pastaj për mungesën e pabesueshme të pikës së ndihmës së shpejtë. Agjencitë detare dhe policia janë të detyruara të operojnë në kushte tejet të pafavorshme.

Dhe nëse në Marisabbella gjendja nuk është e mirë, nuk është më mirë as në shkretëtirën tjetër: sheshi i dokut perëndimor. Në bankina të një zone pa stacion detar dhe madje pa tualete të thjeshta, shiheshin njerëz që, në radhë për imbarkim, e kishin bërë nevojën në rrugë. Mendoni se në këto bankina të papajisura dhe pa ndonjë shërbim pasagjerësh, u bregëzua trageti-kroçierë i “MSC Cruises” duke bërë imbarkimi dhe zbarkim të turistëve.

Një situatë e pakundërshtueshme, siç janë bërë përpjekje për të mbrojtur një situatë që rezulton dhjetë vite rënieje graduale, të tele-shitjeve, pa krijimin e një bankine të re apo të një stacioni të ri detar.

/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/