Rusia ka goditur një anije mallrash që, sipas Ministrisë së Mbrojtjes në Moskë, transportonte pajisje ushtarake për forcat ukrainase në portin e Odessa-s, në Detin e Zi.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, sulmet kanë prekur objekte të magazinimit të karburantit dhe infrastrukturë portuale në zonën e Chornomorskut. Moska pretendon se është goditur edhe një anije patrullimi ukrainase në portin e Ochakivit. Sulmet vijnë në një periudhë kur Rusia dhe Ukraina kanë intensifikuar goditjet ndaj infrastrukturës dhe logjistikës detare në Detin e Zi.

Vetëm ditët e fundit, porti i Odessa-s është përfshirë në sulme ruse, ndërsa Ukraina ka kryer një ofensivë të gjerë kundër objektivave ruse në portin e Novorossiyskut. Ministria ruse nuk ka dhënë detaje të plota mbi llojin e pajisjeve ushtarake që pretendohet se ndodheshin në anije dhe nuk janë raportuar menjëherë të dhëna të pavarura për dëmet apo viktimat. Portet e rajonit të Odessa-s janë bërë prej kohësh objektiv i sulmeve ruse, duke rritur shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe eksporteve ukrainase në Detin e Zi.