Diego Armando Maradona u operua me sukses në tru pasi një ditë më parë ishte diagnostikuar më një hematomë subdurale.

Pavarësisht delikatesës së ndërhyrjes, çdo gjë ka kaluar me sukses për djalin e artë të futbollit argjentinas dhe një legjendë botërore e sportit në fjalë. Lajmin për suksesin e ndërhyrjes e ka dhënë vetë mjeku personal i Diegos, Leopoldo Luque.

“Arritëm të hiqnim mpiksjen e gjakut. Diego e përballoi mirë operacionin. Çdo gjë është nën kontroll dhe Diego ndodhet nën vëzhgim”, – kanë deklaruar mjekët e klinikës private ku 60-vjeçari ishte shtruar, teksa nuk dihet kur Maradona do të rikthehet në drejtimin e skuadrës së Gimnasias.

Vlen të theksohet se mediat vendase kanë zbuluar një detaj tepër interesant menjëherë pas zgjimit pas operacionit. Maradona është interesuar për rezultatin e rivalëve të përjetshëm të River Plejt.

“Sa doli Riveri?”, mësohet të ketë pyetur Diegoja. Kujtojmë që legjenda e futbollit është ish-lojtar dhe tifoz i çmendur i Boka Zhuniors dhe rezultatet e kundërshtarit të përjetshëm janë gjithmonë në qendër të vëmendjes. Fatmirësisht Maradona u zgjua me lajm të mirë, pasi River Plejt u mund 1-3 ndaj Banfield.