Përveç dëmtimeve të rënda që kanë pësuar nga tërmeti i frikshëm i 26 nëntorit, shumë pallate të shpallura të pabanueshme në Durrës rrezikojnë të jenë pre e hajdutëve.
Paraditen e sotme, DurrësLajm publikoi lajmin se dy hyrje në kompleksin “Jedas”, në lagjen nr.17, ishin vjedhur gjatë natës nga hajdutët. Kompleksi është shpallur i pabanueshëm që në ditën e parë pas tëmetit, pasi ka dëmtime të rënda në tre kolona dhe muraturë. Megjithëse ruhet me policë prej rreth një muaji e gjysëm, hajdutët nuk u zbrapsën…
Por sa prej pallateve të shpallura të pabanueshme në Durrës ruhen nga policia?
Nga raportimi që drejtues të policisë së qytetit bregdetar kanë bërë pranë Shtabit të Emergjencës zbulohet se janë 26 pallate dhe 1 zyrë e Gjendjes Civile që ruhen dhe sigurohen me policë. Duke parë numrin e lartë të pallateve të shpallura të pabanueshme në qytetin bregdetar, ky numër duket mjaft i vogël, por gjithsesi policia nuk mund të angazhojë të gjitha strukturat e saj në ruajtjen e pallateve të dëmtuara.
Në një shkrim të botuar nga DurrësLajm pak javë më parë, një banor i lagjes nr.18, në një pallat të ndërtuar nga firma “Kristi Konstruksion” deklaroi se në shtëpinë e tij të dëmtuar rëndë nga tërmeti mungonte televizori, pasi ishte vjedhur gjatë natës nga hajdutët.
Për shkak të shpalljes së pallateve dhe banesave të pabanueshme, por edhe nga frika e hajdutëve, shumë qytetarë të Durrësit kanë zbrazur komplet shtëpitë.
Disa herë me rradhë, DurrësLajm ka dokumentuar “çmontimin” e apartamenteve, madje në disa raste duke hequr edhe dyert e dritaret.
Por jo të gjithë i kanë hequr. Disa sepse janë ende në hotele dhe nuk kanë gjetur shtëpi me qira, disa sepse pallatet e tyre janë aq shumë të dëmtuara saqë do të vinin jetën në rrezik nëse do të zbrisnin pajisjet, disa sepse janë emigrantë etj.
Një muaj e gjysëm nga lëkundja e frikshme e 26 nëntorit, pallatet e dëmtuara rëndë kanë mbetur po njësoj, madje në disa prej tyre nuk janë hequr as inertet e krijuara rreth e qark nga shembjet e mureve.
Në Durrës janë rreth 800 godina me dëmtime të rënda, të klasifikuara në kategorinë DS4 dhe DS5, për të cilat ende nuk dihet se ç’fat do të kenë. Banorët e traumatizuar nga humbja e apartamenteve dhe investimit të një jete të tërë shtrojnë çdo ditë pyetjen: Kur do të nisë rindërtimi i banesave të tyre?!
M.B.





