TIRANË, 9 mars 2013 – Bashkimi Evropian merr shënim dhe mirëpret angazhimin e shtetit-kandidat potencial në BE, Shqipërisë, dhe vendeve të treta në sanksionet kundër Koresë komuniste.
Qeveria nuk flet
Por është e çuditshme që Tirana hesht për këtë fakt, për më tepër që Vendimi i BE-së ka të bëjë dhe me institucione të tjera, biznesin.
Në sajtet e ministrive të Punëve të Jashtme, Integrimit, Ekonomisë, Tregtisë, Energjetikës, Financave mungojnë referimet për aderimin e Shqipërisë në sanksionet ekonomike ndaj regjimit të Koresë së Veriut.
Më 8 mars 2013 kur fliste baronesha Eshton, në Bruksel ishte dhe Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, që mori pjesë në takimin e katërt të Komitetit të Stabilizim Asociimit BE-Shqipëri, në Bruksel.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” ka siguruar tekstin e deklaratës së Baroneshës Eshton për bashkëngjitjen Vendimit të BE-së të vendeve të treta, përfshi Shqipërinë, në sanksionet kundër Republikës Demokratike Popullore të Koresë.
Në Bruksel, më 8 mars 2013, është bërë një deklaratë nga baronesha Ketrin Eshton, Përfaqësuesja e Lartë, në emër të Bashkimit Evropian, për përafrimin e vendeve të treta me Vendimin e Këshillit 2013/88/CFSP në lidhje me masat kufizuese kundër Republikës Demokratike Popullore të Koresë.
Ja masat kufizuese që duhet t’i dijë publiku
Baronesha Eshton thotë se Vendimi i 18 shkurt 2013 i BE-së
– forcon masat kufizuese ndaj Phenianit, duke imponuar ndalimin e shitjes, furnizimit ose kalimit në DPRK të mallrave që mund të kontribuonin në programet, që kanë të bëjnë me armët e veta të shkatërrimit në masë, dhe zbaton Rezolutën 2087 (2013);
– miraton masa autonome shtesë të BE-së që ndalojnë tregtinë me ar, metale të çmuar dhe diamante dhe shpërndarjen e kartëmonedhave dhe monedhave të reja të denominuara të DPRK-së në Bankën Qendrore;
– nxjerr të paligjshme shitjen ose blerjen e obligacioneve të DPRK-së dhe hapjen e degëve, filialeve, apo zyrave të reja të përfaqësimit të bankave të DPRK-së në BE;
– institucione financiare të shteteve anëtare të BE-së nuk lejohen të hapin zyra dhe filiale në DPRK.
Përshëndetja
Me këtë rast, Baronesha Eshton thotë se Bashkimi Evropian merr shënim dhe mirëpret angazhimin e Kroacisë, ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Islandës, shtetit kandidat potencial në BE të Shqipërisë, Lihtenshtejnit dhe Norvegjisë, Republikës së Moldavisë dhe Armenisë, që iu bashkuan deklaratës së BE-së.
Baronesha Eshton ka thënë se këto shtete do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare janë në përputhje me këtë vendim të Këshillit.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





