TIRANË, 12 mars 2013– Edhe në Shqipëri do të ngrihet Agjencia e Transplanteve, kështu ka raportuar më 11 mars Ministri i Shëndetësisë Vangjel Tavo gjatë një takimi me ekspertë të TAIEX-it (Technical Assistance and Information Exchange instrument – Program i Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit pranë KE-së).

Pasi ka bërë një panoramë të punës së kryer në fushën e transplanteve dhe nevojat me të cilat përballet sistemi spitalor në këtë sektor, Tavo,e cilësoi ngritjen e Agjencisë së Transplanteve si “çelës kryesor të procesit”, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Pritet të miratohet një buxhet i veçantë për 30 raste të transplantit renal.

Sipas kreut të Shëndetësisë, tashmë Shqipëria ka një kuadër ligjor të kompletuar dhe po punohet për kualifikimin dhe ngritjen e strukturave të specializuara në fushën e transplanteve duke investuar njëkohësisht dhe në infrastrukturë.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë para katër vjetësh në sistemin shëndetësor publik janë bërë orvatjet e para për realizmin e transplantit në bashkëpunim me ekipe italiane dhe turke të mjekëve.

Transplanti është kryer me donatorë familjarë dhe të tri rastet janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Vitin e kaluar janë realizuar rreth 30 transplante në klinikat e huaja dhe të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga shteti.

Një arritje e madhe ishte dhe transplanti i heparit me donator, realizuar në moshat pediatrike në Spitalin Amerikan para pak kohësh.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrahu”/